Na ndiqni edhe në

Shqip

Si funksiononte Kanuni në zonat katolike dhe myslimane! Flet studiuesi!

Si funksiononte Kanuni në zonat katolike dhe myslimane! Flet studiuesi!

Studiuesi Mark Palnikaj në Shqip nga Dritan Hila shpjegoi fuqinë që ka pasur Kanuni, në vendin tonë, në zonat që e kanë pranuar si rregull, në jetën e tyre.

Zoti Palnikaj tregoi se Kanuni në zonat myslimane dhe katolike, lexohej dhe zbatohej ndryshe.

“Kanuni ka fuqi rregulli, brenda njerëzve që e kanë miratuar këtë rregull. Kjo pasi, fise të ndryshme kanë rregulla të ndryshme. Shqipëria nuk është sa Kina, po është e vogël nga ana territoriale dhe e popullsisë. Në zonat katolike është ruajtur Kanuni i vjetër. Në zonat myslimane ka ndikuar e drejta shtetërore dhe ajo turke. Katolikët, p.r.sh, nuk e kanë pasur të drejtën e pronës , nuk i jepnin prona vajzës. Në zonat myslimane, nëse kishe 5 djem dhe 3 vajza, u jepje diçka nga pasuria, kjo ka qenë një zbutje e Kanunit.

Ismail Kadareja ka marrë miell nga Kanuni dhe ka gatuar një novelë që e ka shkruar me ngjarje të vërteta të cilat i ka ngritur në art dhe ka bërë një ëmbëlsirë që po ta kthesh në anglisht dhe frëngjisht do i pëlqejë edhe lexuesve të huaj.

Kanunin nga një të drejte zakonore e ka kthyer në një vepër letrare të mirë.

Në këtë vepër Kadareja ka marrë shembuj nga Dukagjini dhe Malësia e Gjakovës. Vetëm nuk u ka vënë emra konkretë personazheve. Ata kanë qenë personazhe reale dhe me ndikim, të përfshira në disa ndodhi në Malësi. Po ju përmend një ngjarje në Mirditë që e tregon Kadareja në novelë:

Në fshatin Gojan, dikush ka qenë në gjak. Ka shkuar dhe është strehuar në fshatin Gojan. I zoti i shtëpisë ka shkuar edhe i ka treguar gjakësit. “Ka ardhur te shtëpia ime, dil e vraje!” Mirëpo kjo punë u zbulua dhe fshati u mblodh, e kanë marrë atë që spiunoi mikun dhe e vranë në mes të fshatit. Këtë e thotë Kadareja, është ngjarje e vërtetë. Institucioni i mikut thotë: “Shqiptari djalin e vëllait ta fal, mikun nuk ta fal.” Pra pajtoheshin njerëzit kur falej djali, ndërsa për mikun nuk merreshin pleqtë, nuk kishte pajtim. Ka qenë tabu shumë e fortë dhe ka qenë institucion shumë i fortë për ruajtjen e mikut. Sepse miku krijonte mundësi që të kishte më pak vrasje, krijonte siguri në komunitet. Kadareja tregon dhe një ngjarje tjetër të malësorit që i fali besën çjapit. Dhe kjo është e vërtetë. Pra Kadareja ka bërë një ëmbëlsirë, por është bazuar në ngjarje të vërteta. Kadareja trajton artistikisht edhe ngjarje kur nëna merr në besë gjakësin e djalit.

Gratë kanë hyrë ndërmjet burrave dhe nuk kishte kush të drejtë ta vriste gruan. Gruaja thoshte: ulni armët. Ka pasur autoritet të padiskutueshëm. Kishte të drejtë të marrë në besë. Besa për malësorët nuk ka qenë krijesë koti, por ka qenë një mekanizëm që i ka sjellë shumë të mira që mos vriteshin njerëzit. Sepse marrja e gjakut te njerëzit e afërm të atij që kishte bërë vrasjen është e dënueshme kudo në botë. Besa ka qenë një institucion për të krijuar një mundësi për të lëvizur lirshëm.

Që në mesjetë, 1640, 7 ditë para dhe 7 ditë mbrapa një feste ishte amnistie e përgjithshme, nuk guxonte kush me marr gjak. Kjo ka qenë licencë, metodë për t’i dhënë liri të ngujuarve”, tha zoti Palnikaj./M.K-dritare.net