Të pathënat e Tunelit të Porto Palermos! Flet inxhinier Qemal Zyfi!
Dritare.net
Sonte në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV është i ftuar inxhinieri Qemal Zyfi. Inxhinieri Zyfi erdhi në studion e Shqipit për të shprehur merakun e tij dhe të kolegëve që punuan për vite për të ndërtuar Tunelin e Porto Palermos. Zoti Zyfi tregon të pathënat e tunelit që hapi portat në mes të gushtit, përgënjeshtron disa të pavërteta që janë thënë në media dhe drejton një mesazh për Ministrinë e Mbrojtjes. Mos e ktheni bazën e Porto Palermos në atraksion turistik, por riparojeni dhe të përdoret ushtarakisht nga NATO, thotë inxhinieri.
Ja çfarë tregon inxhinieri Qemal Zyfi për Tunelin e Porto Palermos!
“Unë punova dy vjet teknik ndërtimi në zbatimin e punimeve të Tunelit të Porto Palermos.
Qëllimi i këtij tuneli ishte për mbajtjen riparimin dhe nxjerrjen në pozicion lufte i Katërsilurave. Prishja e marrëdhënieve me kinezët në korrik 1978 bëri që objektit t’i bëheshin ndryshime. Konsistonin në strehimin e nëndetëseve. Edhe kjo u arrit por në dijeninë time Marina asnjëherë nuk e pëlqeu objektin se ishte Pashalimani.
Ky tunel përben një nga arritjet me sukses të veprave hidroteknike në ujë. Sakrifica e ushtarëve punëtorëve, oficerëve, inxhinierëve ishte e madhe dhe mundi ta bëjë realitet.
Ky tunel së bashku me tunelet e tjera që janë pjesë përbërëse të tij nga ana funksionale i kushtoi shumë ekonomisë shqiptare. Me ekuivalencën e vlerës së lekut në atë kohë dhe sot kostoja shkon rreth 1 miliard dollarë e barabartë 3 herë me koston e njërit nga hidrocentralet mbi Lumin Drin. Duke e konsideruar që sot ka humbur sekreti pasi objekti është folur e përfolur për publikun bëj me dije se;
Tuneli është i gjatë 780 ml i mbushur me ujë në një gjerësi 12 m. Montuar në të dyja anët veri e jug porta metalike me beton me peshë secila rreth 80 ton. Nga kuota normale tokësore thellësia e ujit nga 6,5 m deri në 9 m. Ka një lartësi mbi pasqyrën e ujit 15 m.
Për të krijuar një ide mbi madhësinë. Në hyrje të Tunelit mund të ndërtoje një pallat 5 katësh. Projekti u hartua nga Pala kineze dhe u asistua në zbatimin e tij nga Inxhinierë kinezë që jetuan te kalaja e Ali Pashës. Gjithashtu në projekt ka kontribut edhe Instituti i Projektimeve Ushtarake Tiranë. Objekti shpeshherë quhet misterioz, dështimi madhështor i qeverisë komuniste, objekt që nuk u vu në punë asnjëherë.
Objekti u quajt misterioz për faktin se nuk kish asnjë informacion në popull. Kur tunelin e kanë vizituar personalitete të ndritura të fushës të ndërtimit për atë kohë kanë mbetur të habitur dhe e kanë vlerësuar objektin me superlative. Objekti përfundoi dhe u vu në shfrytëzim. Teoria e moshapjes së portave sidomos porta e veriut për 32 vjet janë
informacione të gabuara. Portat punuan deri në vitin 1997 normal. Punuan sipas rregullores dhe librit të shërbimit. Ato duhet të hapeshin dhe të mbylleshin 1 herë në ditë. Objekti u braktis, u vodh dhe u shkatërrua në trazirat e 1997-ës.
Hapja me bujë mediatike para 1 Muaji nga Rep.Xhenier dhe publikimi si fitore e arritur është një informacion i pavërtetë. Mënyra si u hap porta ishte mënyra më e vjetër e mundshme, tërheqja me kavo e me kamion të kujton vitet 1960 të ndërtimit të objekteve tona.
Porta duhej hapur ashtu si është përcaktuar në kushtet e librit të shfrytëzimit të objektit, që do të thotë të riinstaloheshin arganellot, kompresori dhe të bëhej injektimi i lubrifikanteve.”, tregon inxhinieri në DritareTV./K.C/dritare.net