Sulmi ndaj Ilir Demalias dhe revolucioni i anarkisë
Dritare.net

Nga Dritan Hila
Sulmi ndaj Ilir Demalias është sinjali i parë i anarkisë që po mbërrin si rezultat i daljes së protestës jashtë kontrollit. Është produkt i rastësishëm i një përplasjeje me një shkak të sajuar, që vjen nga domosdoshmëria e organizatorëve për të krijuar një klimë frike që ta orientojnë këtë lëvizje drejt dhunës dhe trembjes së shtetit. Është tipike e lëvizjeve të modelit të luftës psikologjike. Në rrjet tashmë shikon edhe njerëz deri dje normalë, që i ka kapur histeria kolektive dhe përsërisin fraza pa kuptim, tipike të çmendurive kolektive. Megjithëse një bërthamë e vogël, zhurma që krijojnë është e madhe. Shumica e tyre nuk kanë lidhje me organizatorët e vërtetë, por bëjnë që turma të duket e madhe.
Sulmi ndaj institucioneve e rrit më tepër këtë klimë frike dhe presioni. Modele tipike kur një turmë e vogël terrorizon shumicën janë revolucioni bolshevik, marshimi mbi Romë apo ardhja e nazizmit në Gjermani.
Dhe sulmi ndaj Demalias nuk është thjesht një zënkë banale, por produkt i frymës që po krijohet. Kjo ndihmohet edhe nga emisarë të së majtës ekstreme evropiane që po e shndërrojnë këtë vend në fushëbetejë të saj. Dhe dihet që kur zihen atllarët shkelet bari. Dhe bari në këtë rast është Shqipëria.
Nëse në masën e protestuesve ka nga ata që kanë probleme kapsllëku apo seksuale, çka çdo psikolog duke u nisur nga gjuha që përdorin në sharje do t’i konsideronte pacientë, organizatorët realë janë të mirëprogramuar. Fonde të dhëna OJF-ve, marrëdhënie me operativë të inteligjencës, përkrahja nga majtistë ekstremë që tashmë quhen ambientalistë, të gjithë të bashkuar në një internacionale ogurzezë, do ta kthejnë këtë vend në një tokë të djegur. Ilir Demalia është viktima e parë e këtij projekti. Ndaj është detyrë imediate zbulimi i autorëve dhe dënimi i tyre shembullor dhe i përshpejtuar. Pasi nëse kanë guximin të dhunojnë një njeri publik, imagjinoni çfarë i bëjnë dikujt tjetër.
Detyrë imediate është regjistrimi i OJF-ve që marrin fonde nga jashtë, i aktivitetit të tyre dhe pse jo mbylljes dhe vënies nën ndjekje penale kur aktiviteti i tyre del nga zyrat në rrugë. Në SHBA këta quhen “agjentë të huaj”, të regjistruar si të tillë dhe të vëzhguar që nga viti 1938. Tek ne tashmë nuk janë aspak me objektiva të deklaruar, sikurse ambientalistë apo shoqëri civile.
Shteti duhet të mbrojë institucionet nga dhunimi dhe nuk ka pse nxjerr aty policë me duar në xhepa. Askund nuk lejohet dhunimi i policisë dhe objekteve që mbron ajo. Nuk janë më pak demokratike Greqia, Gjermania apo SHBA, ku policia të shkul dhëmballën e shëndoshë nëse e dhunon. Kush del në demonstratë dhe sulmon policinë, duhet të presë kundërpërgjigjen.
Dhe së fundi një reagim ndaj emisarëve të së majtës që vijnë të ndezin sherrin këtu. Shembulli i Ilaria Salis në Hungari ka treguar se çfarë janë në gjendje të mbjellin.
Rasti i Ilir Demalias duhet të shërbejë si këmbanë alarmi. /dritare.net