CNN: Lufta Rusi–Evropë nuk është më skenar, por kërcënim real
Dritare.net

Rreziku i një lufte mes Rusisë dhe Evropës nuk konsiderohet më një skenar teorik, por një kërcënim real që po shqetëson gjithnjë e më shumë kryeqytetet evropiane. Presioni ushtarak dhe hibrid i Moskës ka detyruar qeveritë e kontinentit të përballen me një realitet që për dekada është shmangur: Evropa nuk është mjaftueshëm e përgatitur për një konflikt të madh dhe koha nuk po punon në favor të saj, shkruan CNN.
Ky përfundim u theksua gjatë një takimi të mbyllur ekspertësh të mbrojtjes në Londër, ku morën pjesë ushtarakë aktivë dhe në pension, zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të NATO-s, studiues dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes. Vlerësimi i përbashkët ishte alarmues: Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj nuk kanë nivelin e nevojshëm të gatishmërisë për një luftë që, sipas shërbimeve të inteligjencës, mund të shpërthejë brenda disa viteve.
Ekspertët theksuan se nuk bëhet fjalë për skenarë luftënxitës, por për parandalim. Sipas tyre, mënyra e vetme për të shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë është që Evropa të jetë realisht e përgatitur ta përballojë dhe ta fitojë një konflikt të tillë, nëse ai ndodh.
Në këtë kontekst, u nënvizua se përveç rritjes së investimeve në një sektor mbrojtjeje që prej vitesh ka qenë i nënfinancuar, kërkohet edhe një ndryshim i thellë mentaliteti. Shoqëritë evropiane duhet të informohen hapur se periudha në të cilën kontinenti mund të mbështetej vetëm te paqja dhe stabiliteti ka përfunduar.
Paralelisht, po forcohet bindja se Rusia tashmë po zhvillon një luftë hibride kundër Perëndimit. Kjo përfshin veprime sabotimi, fushata dezinformimi, ndërhyrje në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s, bllokime të sinjaleve GPS në rajonin e Baltikut dhe sulme ndaj infrastrukturave kritike, të cilat i atribuohen shërbimeve sekrete ruse. Këto veprime kanë filluar të ndikojnë ndjeshëm edhe në opinionin publik evropian, duke rritur ndjenjën e pasigurisë dhe frikës.
Në vendet e Baltikut, shqetësimi është edhe më i madh. Edhe pse Rusia nuk ka sulmuar drejtpërdrejt ndonjë shtet anëtar të NATO-s, analistët vlerësojnë se kjo lidhet me faktin se aktualisht nuk do të mund ta përballonte Aleancën ushtarakisht. Megjithatë, paralajmërohet se kjo balancë mund të ndryshojë. Vlerësime të ndryshme flasin për një rrezik konkret brenda tre deri në pesë viteve të ardhshme, me vitet 2027 dhe 2028 që përmenden shpesh si momente kritike.
Edhe pse NATO ka hartuar plane për përballimin e një sulmi të mundshëm rus në rajonin e Baltikut, ekspertët paralajmërojnë se këto plane mbështeten në burime që në praktikë nuk ekzistojnë ende. Sipas tyre, ka strategji dhe shifra në letër, por mungon vullneti politik dhe shpejtësia e nevojshme për t’i bërë ato realitet.
Për dekada me radhë, Evropa ka përfituar nga ajo që quhej “dividendi i paqes”, duke investuar më shumë në mirëqenie sociale sesa në mbrojtje dhe duke u mbështetur kryesisht te Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj. Kjo qasje është tronditur rëndë nga lufta në Ukrainë dhe ndryshimet në ekuilibrat ndërkombëtarë.
Sot, shumica e vendeve të NATO-s po i afrohen ose po e tejkalojnë objektivin e 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzime ushtarake, ndërsa është rënë dakord që ky nivel të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme. Megjithatë, mbetet e hapur pyetja nëse qeveritë evropiane janë të gatshme dhe të afta t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre sakrificat që kërkon kjo periudhë e re pasigurie./K.C/dritare.net