Zelensky reagon pas presionit të Trump: Nuk do ta tradhtoj Ukrainën!
Dritare.net
Në një fjalim dramatik drejtuar qytetarëve të tij, presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelenski paralajmëroi se vendi po përballet me një nga momentet më të vështira në historinë e tij, pas presionit të fortë nga Shtetet e Bashkuara për të pranuar planin e paqes 28-pikësh të presidentit Donald Trump.
“Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: ose humbja e dinjitetit, ose rreziku i humbjes së një aleati kryesor,” tha Zelenski, duke theksuar se nuk do ta tradhtojë interesin kombëtar dhe do të punojë shpejt dhe me efikasitet me SHBA-të.
Ai sqaroi se vendi duhet të zgjedhë “midis 28 pikave të planit ose një dimri jashtëzakonisht të vështirë dhe rreziqeve të mëtejshme”. Zelenski u shpreh se aleatët kryesorë, kryesisht SHBA-të, presin një përgjigje nga Kievi. “Nuk do ta tradhtoj kurrë betimin tim. Interesi kombëtar i Ukrainës duhet të mbahet parasysh,” shtoi ai.
Presidenti ukrainas deklaroi se zyrtarët e vendit do të punojnë gjatë fundjavës dhe javës së ardhshme, 24 orë në ditë, për të përmirësuar planin amerikan, duke ruajtur të paktën dy elemente kryesore: dinjitetin dhe lirinë e qytetarëve. Ai theksoi se këto janë baza mbi të cilat qëndrojnë sovraniteti, pavarësia dhe territori i Ukrainës.
Zelensky pranoi se presioni ndaj vendit është shumë i madh, por premtoi se do të kërkojë zgjidhje konstruktive me SHBA-në. “Do të paraqes argumente dhe do të propozoj alternativa, por nuk do t’i japim armikut asnjë arsye për të thënë se Ukraina nuk dëshiron paqen,” tha ai.
Ai gjithashtu falënderoi Evropën për mbështetjen dhe theksoi se Ukraina është “mburoja që ndan jetën e qetë evropiane nga planet e Putinit”. Presidenti shtoi se, megjithëse populli ukrainas është i fortë, “çdo metal, madje edhe më i forti, nuk mund të përballojë gjithçka”.
Deklarimet e tij vijnë pas lajmeve se SHBA-ja kërkon nënshkrimin e marrëveshjes së paqes deri më 27 nëntor, Ditën e Falënderimeve, dhe publikimin e draftit të planit 28-pikësh, që parashikon kërkesa të vështira për Ukrainën.
Presidenti ukrainas pritet të ketë një bisedë të premten me zëvendëspresidentin e SHBA-së, për planin e paqes. Detajet e bisedës nuk janë përcaktuar ende, por do të fokusohet ekskluzivisht te kuadri i paqes amerikan.
Sipas Uashington Post, SHBA-ja po shqyrton ndryshime të kërkuara nga Kievi. Zelenski ka paraqitur “kërkesa për rishikim” gjatë takimit me sekretarin e ushtrisë së SHBA-së. Sipas burimeve amerikane, arritja e një marrëveshjeje të pranueshme për Ukrainën mund të kërkojë muaj negociatash të kujdesshme. Plani duhet të nënshkruhet nga Tramp dhe Zelenski para se të prezantohet te udhëheqësia ruse./K.C/dritare.net