Ateroskleroza, armiku i padukshëm! Flet kardiologu
Dritare.net

Sëmundjet e zemrës vazhdojnë të jenë vrasësi numër një në botë, duke tejkaluar çdo patologji tjetër për nga numri i vdekjeve. Kardiologu i njohur Anesti Kondili shpjegon me detaje mekanizmin e aterosklerozës, procesin e ngurtësimit dhe bllokimit të arterieve që çon në infarkte dhe goditje në tru.
Ai thekson se, ndryshe nga sëmundjet virale si gripi që kanë një shkaktar të vetëm, ateroskleroza është multifaktoriale.
Doktori fillon duke shpjeguar konceptin e 'faktorëve të rrezikut', një term i popullarizuar nga Studimi i famshëm i Framingham-it në SHBA. Ai i ndan këta faktorë në dy grupe të mëdha. Grupi i parë përfshin faktorët e pamodifikueshëm, ata që ne nuk mund t'i kontrollojmë. Këtu bën pjesë mosha (rreziku rritet pas të 50-ave për burrat dhe 60-ave për gratë) dhe gjinia. Një detaj interesant që mjeku sjell është mbrojtja hormonale që gratë gëzojnë falë estrogjenit deri në menopauzë. Megjithatë, ai paralajmëron se ndërhyrjet kirurgjikale të hershme ose çrregullimet hormonale mund ta afrojnë rrezikun kardiak tek femrat shumë më herët se parashikimi.
Një tjetër element kyç është gjenetika.
Predispozita familjare luan një rol të rëndësishëm. Nëse prindërit kanë pasur probleme me yndyrnat ose infarkte, fëmijët janë më të rrezikuar. Doktori përmend studime ku edhe fëmijët e porsalindur shfaqin nivele të larta lipidesh nëse kanë ngarkesë gjenetike. Kjo tregon se sëmundja nuk fillon kur shfaqet dhimbja e gjoksit, por dekada më parë, në heshtje.
Po ashtu ai bër edhe një shpjegim vizual dhe të qartë të rolit të yndyrnave. Përmes një modeli të enëve të gjakut, mjeku demonstron se si kolesteroli i tepërt depozitohet në muret e enëve, duke ngushtuar lumenin (hapësirën ku rrjedh gjaku). Ai bën dallimin jetik midis yndyrnave shtazore (të dëmshme, si ato nga mishi i kuq dhe bulmeti me yndyrë të plotë) dhe yndyrnave bimore (të dobishme, si vaji i ullirit), duke rekomanduar fort dietën mesdhetare si mburojën më të mirë natyrale.
Kuptimi i këtyre mekanizmave bazë është hapi i parë drejt ndërgjegjësimit, pasi megjithëse nuk mund ta ndryshojmë gjenetikën, njohja e saj na bën më vigjilentë./dritare.net



