Gjenerali: Si me hoqën nga puna 49 vjeç, pas 30 vitesh shërbim në Flotën Detare
Dritare.net
Gjeneral Tasim Meçe i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV tregon se si u pushua nga puna si komandant i Flotës Detare në 1991-shin pas 30 vitesh shërbimi. Zoti Meçe rrëfen se asokohe ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, vendosi që të pushojë nga puna të gjithë ata komando e oficerë që ishin mbi moshën 49-vjeçare dhe në fund u dha një asistencë të vogël, 2,400 lekë për dy vjet.
Rrëfimi i Tasime Meçe, ish-komandant i Ishullit të Sazanit
“Në 1991-shin në qeverinë e parë demokratike u emërova komandant i Flotës Detare. Në 1992-shin na mbledh ministri Safet Zhulali dhe thotë: Bëni listën kush është 49 vjeç e lart të mos paraqitet të hënën në punë. Jeni të liruar. Pa ligj u mor ky vendim. Unë isha 50 vjeç në atë kohë. Vura emrin tim të parin në listë si komandant flote dhe të tjerët më pas. U liruan të gjithë oficerët që kishin kaluar moshën 49 vjeç. Dolëm në lirim me 2.400 lekë asistencë të asaj kohë për dy vjet. Çfarë do bëjë me aq? Asgjë. Unë kam bërë 30 vjet shërbim. Nga 1961-shi deri ne 1991-shin. Në këto 30 vjet shërbim unë kam bërë 11 detyra në Flotë që pastaj u bëra komandant. Ndërsa tani kanë 30 vjet deputetë e ministra dhe duan 80 vjeç të bëhen kryeministra. Kjo është kuja e zezë. Për këtë kujën e zezë ka një emër. Është Sali Berisha i cili sot që ne flasim dosja e tij u mbyll nga SPAK-u. Nuk e harroj kurrë momentin kur unë komandanti u ndodha përballë 10 vetave që po shisnin në treg. Të gjithë ata ishin të liruar nga ushtria. Ja çfarë i bënë ata njerëzve! Ndiej keqardhje për popullin tim.”, u shpreh gjeneral Meçe për gazetaren Rudina Xhunga, e cila pas rrëfimit të gjeneralit tha ;
“Kjo është për të kuptuar se çfarë ndodh kur nuk respekton njerëzit. Mallkimi të kthehet pas. Ky ishte mallkimi i Sazanit i cili në 1997-ën u la në duart të gabuara dhe u shkatërrua. Nëse do ishin zoti Tasim Meçe, zoti Mustafa Beu, zoti Ndue Bardhi nuk do kishin lejuar që të grabitej dhe të shkatërrohej çdo gjë.”, tha gazetarja./K.C/dritare.net