Pasaporta dhe çmimi i një bunkeri në Sazan!
Dritare.net
Mustafa Beu ish-shefi i Shtabit të Ishullit të Sazanit i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për fortifikimin e ishullit të Sazanit që nga koha kur e kishte Musolini e deri kur ra regjimi. Zoti Beu tregon se në Sazan janë ndërtuar 4752 bunkerë dhe mbi 40 tunele që do përdoreshin për strehimin e banorëve dhe qëllime ushtarake. Si tunelet dhe bunkerët kishin edhe pasaportën e tyre, ku shënoheshin të dhënat që nga projektimi, ndërtimi dhe vendosja.
“Qëllimi ishte që Sazani të ishte tepër i fortifikuar. Kur u çlirua Sazani nga gjermanet në 22 tetor të 1944-ës kanë gjetur municione të ushtrisë gjermane. 6 topa në veri 130 dhe 6 topa në jug. Gjetëm edhe depozita 300 tonë me ujë në veri dhe jug. Komandën në majë të Sazanit e bëri Musolini. Në Sazan ka pasur drita që në vitin 1914. Kabulli telefonik Sazan-Romë ishte funksional, mbetjet e tij ndodhen ende te Plazhi i Gjeneralit.
Në Sazan janë 6 tunele të ndërtuara nga Italia, ndërsa të tjerat nga shteti shqiptar pas çlirimit. Në Sazan janë katër pikëmbështetje këmbësorie dhe 36 tunele bregdetare, ku futen topat. Ndërkohë gjithsej janë ndërtuar 4752 bunkerë në Sazan. Një bunker atëherë kushtonte 114 mijë lekë të vjetër, ndërsa sot kushton shumë më shumë. Por ju them se shumë objekte luftarke u shkatërruan pas 1990-ës. Dëmi ekonomik në ushtri në vitin 1997 është 20 miliardë euro.
Unë dhe komandant Tasim Meçe kemi qenë dy përgjegjësit kryesore për sigurimin e dokumenteve përmes zyrave sekrete dhe të rëndësisë së veçantë. Çdo bunker dhe tunel i ndërtuar në Sazan ka pasaportë në të cilën janë shënuar të dhënat teknike, nga projektimi, vendosja, lidhja me të tjerat hartat e fortifikimit etj. Këto dokumente i lamë të gjitha në arkiv të shtetit.”- tha zoti Beu në një rrëfim të jashtëzakonshëm për gazetaren Rudina Xhunga. K.C/dritare.net