
Mesazhi i 93-vjeçarit: Mos iu nënshtroni rehatisë së krevatit, por lëvizni. Ecja, më mbajti gjallë!
Dritare.net
Kam jetuar fashizmin, komunizmin dhe censurën, por nuk paska më keq se vetmia. Kështu tha zoti Abaz Hoxha ndërsa rrëfen për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip, 93 vitet e jetës së tij, dikur partizan dhe sot historian kinematografie. Unë nuk mendoj për vdekjen tha zoti Hoxha, se kam shumë projekte që dua t’i realizoj, të vijë sa më vonë. Tani, shprehet ai, kërkoj një shoqe që të bashkëbisedojmë dhe të kuptohemi.
Gjatë bisedës me gazetaren Rudina Xhunga zoti Hoxha thotë çelësi për një jetë të gjatë e të shëndetshme, është lëvizja. Zoti Hoxha thotë se ai ndonëse është 93 vjeç nuk i është nënshtruar rehatisë së krevatit, përkundrazi, vazhdimisht bën ecje.
“ Punoni dhe mos iu nënshtroni rehatisë. Mos mendoni për vdekjen. Vdekja do të vijë për të gjithë. Punoni që të jeni nderi i familjes dhe i shoqërisë ku jetoni. Kjo ka rëndësi në jetë. Duhet të dini që çdo pjesë e organizmit duhet të jetë në aktivitet. Ndaj mos iu nënshtroni rehatisë së tmerrshme të krevatit”, u shpreh Hoxha në Dritare TV./L.F-dritare.net

















