Na ndiqni edhe në

Emisionet

Pse Europa duhet të zgjohet! Flet ish-drejtori i SHISH, Visho Ajazi!

Pse Europa duhet të zgjohet! Flet ish-drejtori i SHISH, Visho Ajazi!

Në një intervistë ekskluzive në Dekalog, Dritare TV, ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në NATO, Visho Ajazi Lika, bën një skaner të plotë të situatës globale dhe rajonale. Nga ndryshimet tektonike në gjeopolitikën botërore, te sfidat e sigurisë në Ballkan, e deri te prapaskenat e politikës shqiptare, Ajazi Lika sjell një perspektivë të rrallë prej eksperti të sigurisë dhe diplomatit të karrierës.

Duke nisur me panoramën globale, Ajazi Lika thekson se bota po shkon drejt një rendi shumëpolar, ku dominimi i SHBA-së po sfidohet gjithnjë e më shumë nga Kina ekonomikisht dhe nga Rusia ushtarakisht, veçanërisht përmes arsenalit të saj bërthamor. Ai analizon luftën në Ukrainë jo thjesht si një konflikt rajonal, por si një provë force që ka rizgjuar nevojën e Europës për t'u riarmatosur dhe për të mos u varur vetëm nga 'ombrellat' e sigurisë transatlantike.

Ai po ashtu u fokusua në përvojën e tij në krye të institucionit më të lartë të inteligjencës në Shqipëri.

Ai zbulon se si arriti të mbijetonte profesionalisht gjatë tranzicionit të pushtetit nga Berisha te Rama në vitin 2013, duke nënvizuar se zbatimi strikt i ligjit ishte 'mburoja' e tij më e fortë përballë presioneve politike. Për herë të parë, ai flet hapur për marrëdhëniet e tij me dy kryeministrat. Në lidhje me Kosovën, ai jep garanci se prania e KFOR-it dhe NATO-s e bën një agresion të drejtpërdrejtë serb të pamundur, pavarësisht retorikës nxitëse të Beogradit.

Ai prek gjithashtu çështjen e ndjeshme të mungesës së një ambasadori amerikan në Tiranë për më shumë se dy vjet, duke e lidhur këtë me prioritetet e ndryshueshme të administratave në Uashington, por edhe me nevojën që klasa politike shqiptare të maturohet. Intervista zbulon detaje interesante edhe për infrastrukturën e NATO-s, përfshirë një anekdotë me Donald Trump mbi koston e selisë së re të Aleancës, si dhe diskuton kapacitetet e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë përballë sulmeve nga Irani.

Visho Ajazi Lika e mbyll me një apel për politikën shqiptare, të punojnë për ta bërë vendin të vetëmjaftueshëm dhe funksional, në mënyrë që të ndalet hemorragjia e largimit të qytetarëve./dritare.net