Na ndiqni edhe në

Emisionet

Visho Ajazi: Kush jam unë!

Visho Ajazi: Kush jam unë!

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në NATO, Visho Ajazi Lika në një intervistë për Dekalog, Dritare TV rrëfeu se si ia doli të shkonte nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në krye të inteligjencës shqiptare.

Ajazi tregon se karriera e tij nisi si akademik në Fakultetin e Shkencave, institucion që ai e konsideron si më të mirin e kohës në Universitetin e Tiranës. Pas kthimit nga Barcelona, në vitin 1993, Ajazi u ftua të bashkohej me Ministrinë e Jashtme në periudhën kur diplomacia shqiptare po rinovohej me brezin e ri. Karriera e tij shtetërore mori kthesa të rëndësishme. Ai shërbeu si diplomat në Riad, si drejtues i shërbimit të jashtëm në SHISH në vitet ’90, e më pas emigroi në Kanada, ku punoi mbi një dekadë si programues kompjuterik.

Në vitet 2010, Ajazi u rikthye në Shqipëri, ku fillimisht u emërua zëvendësministër i Teknologjisë së Informacionit, e më pas, në vitin 2012, mori detyrën e drejtorit të SHISH.

Rrëfimi i plotë!

Fakulteti i Shkencave ka nxjerrë shumë profesionistë të tillë. Unë nuk jam ndër ta, por arsyeja është shumë e thjeshtë ka qenë fakulteti më i mirë i Universitetit të Tiranës. Siç ju thashë më parë, ka qenë privilegj që kam qenë student dhe pedagog në atë universitet. Për fat të keq ekonomia e tregut bëri të vetën. Nuk është se e lashë universitetin plotësisht. Ka qenë koha e vitit 1993, kur sapo kisha mbaruar një postdoktoratë në Barcelonë, në Politeknikun e Barcelonës, ku më ishte ofruar një vend në katedër. U ktheva për pushimet e verës në Tiranë dhe, siç e dini, unë kam qenë i lidhur me lëvizjen demokratike si pedagog i ri; studentët e mi ishin ata që bënë atë që bënë.

Më ofruan të bashkohesha me Ministrinë e Jashtme, pasi në atë kohë po bëheshin reforma dhe u larguan diplomatët e vjetër, duke u zëvendësuar me të rinj. Ne ishim ndër ata që dinim një gjuhë të huaj. Anglishten e kam mësuar më vonë; ndërsa për doktoraturën më është dashur frëngjishtja, të cilën e flisja para se të mësoja spanjishten.
Kjo ka qenë një dilemë e madhe për mua, sepse nuk kam pasur ambicie për të hyrë në politikë apo në shtet. Si akademik, kisha dëshirë të vazhdoja rrugën time. Por rrethanat shkuan ashtu, fillova punë në Ministrinë e Jashtme në fund të vitit 1993 dhe gjërat rrodhën siç ndodhën.
Shkolla “Skënderbej” ka qenë një shkollë shumë e mirë. Unë kam mbaruar gjimnazin atje dhe ka qenë një nga gjimnazet elitare në Tiranë. Për fat të mirë kam qenë nxënës i mirë. Në vitin ’74, pasi mbarova maturën, u zgjodha për të shkuar pilot në Vlorë. Aty bëheshin prova rreth një muaj. Kisha dëshirë të shkoja, sepse kisha edhe një shok timin të moshës atje, ndaj shkuam bashkë.

Në vitin ’74 kam qenë në shkollën e aviacionit në Vlorë. Pasi u largova nga aviacioni, kisha dy zgjedhje: të shkoja në Shkollën e Bashkuar ose të qëndroja në shkollën e aviacionit si teknik apo specialist instrumentesh. Nuk pranova të vazhdoja në ushtri dhe kërkova të largohesha. Për të ikur duhet të shkoja ushtar, dhe unë bëra dy vjet ushtri në shkollën e aviacionit, por si ushtar. Ushtria humbi një oficer, por fitoi një matematikan.

Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se një ditë mund të isha diplomat, ambasador në NATO apo drejtor i Shërbimit Informativ. Ëndrra ime më e madhe ka qenë të isha pedagog dhe as atë nuk e kisha ëndërruar shumë. Për çudi, më erdhi propozimi të shkoja në shtet dhe unë pranova. Kjo ka ndodhur në vitin 1984. Kam fluturuar vetëm një herë me instruktorët, sepse u largova shpejt nga aviacioni.

Kam qenë 11 vjet në Kanada, ku kam punuar si programues kompjuterik në kompaninë time. Kur më erdhi ftesa të kthehesha si zëvendësministër i teknologjisë, mendova rreth gjashtë muaj dhe vendosa të kthehesha. Dy vitet e para pas kthimit nga Kanadaja kam qenë zëvendësministër i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Në gusht 2012 më u ofrua detyra për t’u bërë drejtor i Shërbimit Informativ. Ishte një zgjedhje shumë e vështirë. E mora këtë detyrë sepse, pasi kisha bërë sakrificën të kthehesha nga Kanadaja ku isha shumë mirë, vendosa ta vazhdoja këtë rrugë.

Për çudi, zyrat e shërbimit ishin në godinën e Shkollës “Skënderbej”, aty ku kisha studiuar.

Lidhja ime me shërbimin informativ ka ardhur përmes punës sime dhe përmes njerëzve me të cilët kam punuar. Një nga miqtë e mi më të afërt ka qenë Bashkim Gazidede, me të cilin kemi qenë pedagogë bashkë. Ai më kishte ftuar që në vitin 2000 të shkoja në shërbim, por unë nuk pranova sepse kisha fituar një bursë për një postdoktoratë në Barcelonë. Aty qëndrova pesë muaj dhe, kur u ktheva, më ofruan të futesha në Ministrinë e Jashtme si diplomat i ri.

Kam qenë sekretar i parë në ambasadën e re në Riad, në Arabinë Saudite. Kur u ktheva në Shqipëri, doja të kthehesha në universitet, por më kërkuan të merrja detyrën e drejtuesit të shërbimit të jashtëm në Shërbimin Informativ. E pranova dhe kam qenë në atë detyrë deri në vitet 1997–1998, kur u largova për në Kanada./dritare.net