Çfarë kujton vëllai i Kahraman Yllit për takimin me amerikanët që iu ra avioni në Belsh!
Dritare.net
Pa Hasan Ginën, Kostaq Stefën apo Përparim Siqecën (Xhonin), 30 infermierët amerikanë që iu ra avioni 80 vite më parë, ne Belsh, nuk do të shpëtonin kurrë. Por nuk jane vetëm ata. Është Kahreman Ylli, ai që organizoi udhëtimin nga Belshi në Berat dhe gjeti në Berat, njerëzit që do i shoqëronin më pas.
"Mbrojini me jetën tuaj",- ky ishte mesazhi që i dha Kahramani partizanëve, që u organizuan në këtë mision.
Ajet Ylli, vëllai i Kahreman Yllit, që asokohe ishte rreth 10 vjeç, rrëfen në dokumentarin “Në besë të Shqiptarëve” se si amerikanët u strehuan edhe në shtëpinë e tyre në Leshnjë, në zonën e Skraparit.
“Infermieret amerikane i mbaj mend ende dhe sot se sa të bukura që ishin. Kam qenë i vogël, kur vëllai im, Kahremani i dërgoi në shtëpinë tonë, në Leshnjë. Erdhën direkt në shtëpinë tonë, të shoqëruar nga një përkthyes, ishte Kostaq Stefa. Nuk kaluan mes për mes fshatit, por përmes një porte të madhe, nga ku fusnim kafshët e ngarkuara.
Shtëpia jonë ka qenë shumë e madhe, me oborr, me dy kate, shatërvan, shkallë e të tjera. Kishte gjithçka. Kur erdhën amerikanet, të gjithë ne u kujdesëm që ato të ndiheshin mirë. Një fshatar i yni që dinte anglisht na ka ndihmuar që t’i strehonim të gjithë, se i ndamë në dy grupe. Dhomat më të mira ua lëshuam atyre.
Ishte shtëpi shumë e mirë.
Si u larguan amerikanët, gjermanët na dogjën shtëpinë. Ata erdhën në fshat dhe dogjën vetëm shtëpinë tonë, e cila ishte goxha në distancë nga banesat në fshat. Unë kam qenë me bagëtitë atë ditë, pashe trupa ushtarake që lëviznin, mendova se ishin partizanë, por jo ishin gjermanët. Erdhën direkt në drejtim të shtëpisë sonë, ia vunë zjarrin. Bashkë me bagëtitë u fsheha në pyll, larg shtëpisë, deri sa erdhi xhaxhai im që më mori. Ndryshe nëse do kisha shkuar, mund të kisha vdekur atë ditë”, kujton Ajet Ylli, një nga dëshmitarët që ka takuar amerikanët. Disa prej tyre, që asokohe ishin fëmijë u intervistuan nga Dritare Tv duke arritur të mos mbetemi pa dëshmi nga një prej ngjarjeve më unike dhe misterioze të historisë sonë.
Kjo ngjarje është konsideruar me të drejte si unike edhe në shkallë të Luftës së Dytë Botërore, që një grup infermjerësh të bien në një territor lufte dhe për dy muaj të shpëtojë e të dalë nga rrethimi i gjallë.Kjo është quajtur edhe një mrekulli. Kjo ngjarje në Shqipërinë e kohës së Luftës së Dytë Botërore e nderon popullin tonë, Ushtrinë tonë Nacional- Çlirimtare, por edhe njerëzit e thjeshtë që i ndihmuan, strehuan dhe ushqyen.
Dokumentarin në Besë të Shqiptarëve mund ta gjeni në youtube Dritare TV./M.K-dritare.net