Keir Starmer jep dorëheqjen si kryeministër i Britanisë dhe lider i Laburistëve
Dritare.net

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar dorëheqjen e tij si kryeministër dhe lider i Labour Party, vetëm dy vite pasi udhëhoqi partinë drejt një fitoreje historike në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.
Në një fjalim para rezidencës së kryeministrit në Downing Street, Starmer tha se kishte dëgjuar mesazhin e partisë së tij dhe se kishte vendosur të largohej me “dinjitet dhe respekt” ndaj këtij vendimi.
“Çdo vendim që kam marrë ka qenë për të vendosur vendin që dua në radhë të parë”, deklaroi ai.
Starmer bëri të ditur se kishte informuar Mbretin Charles III për vendimin e tij gjatë një bisede telefonike të zhvilluar mëngjesin e së hënës. Ai njoftoi gjithashtu se Komiteti Ekzekutiv Kombëtar i Laburistëve do të hapë garën për drejtimin e partisë më 9 korrik, ndërsa procesi do të përfundojë para rifillimit të punimeve të Parlamentit në shtator.
Deri në zgjedhjen e liderit të ri, Starmer do të vazhdojë të qëndrojë në detyrën e kryeministrit për të garantuar një tranzicion të rregullt të pushtetit.
Në fjalimin e tij, ai mbrojti bilancin e qeverisjes së tij, duke kujtuar se kishte marrë drejtimin e një partie që sipas tij ishte “politikisht, financiarisht dhe moralisht e falimentuar”. Starmer tha se gjatë drejtimit të tij kishte rikthyer besimin e publikut te ekonomia, mbrojtja dhe siguria kombëtare, si dhe kishte luftuar fenomenin e antisemitizmit brenda partisë.
Në momentet më emocionale të fjalimit, kryeministri në largim falënderoi bashkëshorten e tij, Victoria, dhe dy fëmijët e tyre.
“Pas largimit nga puna më e madhe në vend, do të kem më shumë kohë për punën më të rëndësishme: të jem bashkëshorti më i mirë për gruan time dhe babai më i mirë për fëmijët e mi”, tha Starmer, duke u emocionuar teksa përfundonte fjalimin.

Largimi i tij shënon një zhvillim të papritur në politikën britanike, pasi vetëm dy vite më parë ai udhëhoqi Laburistët drejt rikthimit në pushtet pas një periudhe të gjatë në opozitë./L.F-dritare.net