Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

I nxehti më jep ankth. Ja këshilla e psikologes!

Përshëndetje Dritare.net dhe Psikologe Enertila

Unë që ju drejtohem sot kam një problem që më ndodh gjithmonë në verë. I nxehti më jep ankth dhe probleme me humorin. Të lutem më ndihmo si të veproj!

Faleminderit! Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet

Përshëndetje lexues të Dritare.net!

Kujdesi për shëndetin tuaj mendor gjatë periudhave të nxehtësisë intensive mund të jetë thelbësor për të zvogëluar rrezikun e pasojave afatgjata. Për shumicën e njerëzve, vera është një kohë pozitive e vitit është mundësia për të kaluar më shumë kohë jashtë, për të takuar miq dhe për të vizituar vende të reja. Megjithatë, për të tjerët, moti i ngrohtë mund të sjellë me vete stres shtesë, i njohur si stresi i pushimeve. Disa njerëz e përjetojnë verën me shqetësime të forta, siç janë ato me çrregullime ankthi, të cilët mund të përjetojnë shqetësime si gjatë pushimeve ashtu edhe pas kthimit në jetën e përditshme, stresi pas pushimeve. Sulmet e panikut në mot të nxehtë mund të bëhen më të shpeshta.

Njerëzit fillojnë të përjetojnë simptoma fizike që lidhen me rritjen e temperaturave dhe frikën, se mund tu bjeri të fikët, të vjellin ose edhe të pësojnë një atak në zemër dhe të vdesin. Këto mendime katastrofike, nga ana tjetër i amplifikojnë simptomat fizike dhe prodhojnë një spirale ndjesish dhe mendimesh që lidhen me ankthin, të cilat mund të jenë të vështira për t'u menaxhuar. Nxehtësia e fortë dhe sulmet e panikut shkaktojnë shqetësime të rënda tek disa njerëz, prandaj personi duhet të tentojë të shmangë vende të mbushura me njerëz, transporti publik, ngjarje me pjesëmarrje të gjerë publike, trafikun në rrugë. Disa simptoma të vapës mund të shihen për shumë njerëz, por mund të të bëhen të padurueshme për ata që jetojnë me ankth, duke i bërë ata të besojnë se janë një shenjë e diçkaje katastrofike që do të ndodhë. Në mendjen e personit të shqetësuar, nxehtësia mund të shkaktojë ankth dhe takikardi, të cilat mund të çojnë në frikë të fortë nga një atak në zemër dhe fillimin e sulmeve të panikut.

Në raste më të rënda, intoleranca ndaj nxehtësisë dhe ankthi që shoqërohet me të mund të çojnë në izolim, tërheqje dhe përkeqësim të humorit, madje duke çuar në ndjenja vetmie dhe depresioni Tek disa njerëz, këto gjendje mund të shoqërohen me një rënie të humorit gjatë verës ose me fillimin e depresionit sezonal të verës. Emocione të tilla si zemërimi ose faji mund të rrjedhin nga një ndjenjë pamundësie për të toleruar ndjesitë trupore dhe për të menaxhuar emocionet, të cilat gjithashtu mund të ndikojnë në vetëvlerësim. Megjithatë, ankthi dhe frika nga nxehtësia mund të adresohen dhe menaxhohen dhe me hapa të vegjël, mund të ulen.

E dashur lexuesja jonë menaxhimi i ankthit që lidhet me nxehtësinë është i mundur, veçanërisht kur mësoni të njihni sinjalet e trupit dhe të ndërhyni gradualisht dhe me vetëdije. Në këndvështrimin tim do t’ju sugjeroja si fillim të pranoni vetes se nxehtësia të bën të ndihesh në ankth. Verbalizimi i gjendjes suaj emocionale, megjithëse mund të jetë i vështirë, mund të ndihmojë në menaxhimin e simptomave që mund të shkaktojnë nxehtësia dhe ankthi. Përveç kësaj, për të adresuar simptomat e ankthit që vijnë me nxehtësinë e verës, ju mund të praktikoni frymëmarrjen diafragmatike.

Mos hiqni dorë nga momentet e relaksit, ndoshta në natyrë, për shembull duke përjetuar detin si një hapësirë mirëqenieje ose si terapi. Përveç teknikave të relaksimit do t’ju sugjeroja për të zvogëluar ndikimin e nxehtësisë në ankth hidratimin e rregullt i cili ndihmon në parandalimin e dehidrimit, i cili mund të përkeqësojë lodhjen dhe nervozizmin. Menaxhimi i gjumit është i rëndësishëm sepse të fjeturit në një mjedis të freskët dhe të errët mund të zvogëlojë ndjeshmërinë ndaj ankthit.

E dashur lexuesja jonë planifikimi i aktiviteteve gjatë orëve më të ftohta të ditës mund të zvogëlojë stresin nga nxehtësia. Një dietë e lehtë mund të nxisë mirëqenien e përgjithshme dhe të zvogëlojë ndjenjën e rëndesës. Integrimi i këtyre strategjive në rutinën tuaj të përditshme mund të ndihmojë në parandalimin dhe menaxhimin e ankthit që lidhet me nxehtësinë, duke nxitur mirëqenien edhe gjatë kohërave më sfiduese. Shpresoj që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj. Gjithë të mirat!/dritare.net