Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

E reja i shkruan psikologes: Më ndihmo të ndahem nga i dashuri toksik!

E reja i shkruan psikologes: Më ndihmo të ndahem nga i dashuri toksik!

Përshëndetje Psikologe Enertila!

Unë që ju shkruaj jam një vajzë që po vuaj nga marrëdhënia ime me partnerin. Kemi afërsisht një vit bashkë dhe mendoj se marrëdhënia jonë po kthehet shumë toksike midis nesh. Këto jave po mendoj ta shkëpus lidhjen, por kam nevojë për një opinion nga ju.

Psikologe Enertila Bekteshi, përgjigjet!

Përshëndetje lexues të Dritare.net!

Një marrëdhënie e shëndetshme ndërtohet mbi respektin reciprok, mirësinë, mbështetjen, dëgjimin, besimin dhe mirëkuptimin. Kur një marrëdhënie është funksionale, secili nga partnerët ruan një hapësirë personale dhe intime me veten dhe kjo nuk cenon harmoninë e çiftit, përkundrazi. Ndodh që një marrëdhënie në fillim duket se funksionon, dhe më pas nuk funksionon më, por partnerët vazhdojnë ta çojnë përpara, duke u ndjerë të bllokuar. Kështu, kjo marrëdhënie mund të bëhet e rrezikshme dhe me dashuri toksike. Duke krijuar kështu prej partnerëve një humbje të tepruar të energjisë.

Largimi nga një partner toksik është i vështirë për shkak të dinamikave komplekse dhe për shkak të varësisë afektive dhe emocionale që shpesh lind dhe që çon në besimin se është më mirë të vuash, në vend që të jesh pa partnerin. Ndarja shpesh përjetohet përmes një procesi të ngadaltë të brendshëm që çon në një vorbull ndjenjash të përziera. Faji shumë shpesh pushton dhe dominon. E dashur lexuesja jonë dashuria toksike nuk i plotëson nevojat tona, por vetëm çon në vuajtje. Për të kapërcyer këtë situatë e dashur lexuesja jonë në këndvështrimin tim do tu orientoja që ta rrethoni veten me ata që ju duan vërtet gjithashtu ju duhet ta vendoseni veten në radhë të parë dhe ti kushtoni më shumë kohë vetes, kini durim me veten dhe krijoni një vizion të qartë e të gjerë.

E rëndësishme është të ndërgjegjësoheni , duke pranuar se kjo marrëdhënie nuk është e shëndetshme dhe se dëmton. Ju gjithashtu duhet të pranoni pa frikë ndjenjat tuaja për situatën. Përjetimi i vuajtjes kërkon guxim dhe elasticitet. Të duash veten është thelbësore lexuesja jonë ndaj ju duhet shumë të punoni me veten, mbyllja e marrëdhënies është një detyrë që na takon neve. Uroj shumë që këndvështrimi im tu ndihmojë sadopak në situatën tuaj. Gjithë të mirat./dritare.net