
Nga Ardit Rada
Këtë të diel, shqiptarët do të votojnë për një parlament të ri. Në këtë garë merr pjesë edhe një figurë e errët e historisë sonë: Sali Berisha. Një njeri që mbart mbi supe një sërë tragjedish kombëtare: që nga viti i zi 1997, tek masakra e Gërdecit, tek vrasjet në bulevard më 21 Janar. Dhe në vend që koha ta kishte zbutuar, ai ka zgjedhur që edhe sot në vitin 2025 të predikojë po të njëjtën gjuhë të dhunës, hakmarrjes dhe përçarjes.
Por ajo që është edhe më shqetësuese është se dhuna e frymëzuar nga Berisha nuk është më vetëm ndaj kundërshtarëve politikë. Ajo po gërryen edhe njerëzit përreth tij. Tre vite më parë nisur nga interesa krejt personale, ai udhëhoqi personalisht një sulm brutal ndaj selisë së Partisë Demokratike. Ishte një pamje turpi për çdo demokrat dhe çdo shqiptar që beson te politika pa grushta. Dhuna nuk ndalet me thirrje politike, ajo bëhet kulturë, dhe kjo kulturë tashmë ka përfshirë edhe strukturat e PD. Në Elbasan, mbështetës të Berishës dhunuan pak ditë më parë djalin e dyshit të PD-së, Luciano Boçit. Ngjarjen nuk patën guxim ta zbardhin për arsye që kuptohen, por filmimet e dokumentuan të gjithën.
Xhelal Mziu, një tjetër figurë e kampit të Berishës, u kap në kamera duke dhunuar një zyrtar local në Bulqizë. Po ashtu, kandidati i PD në Korçë, Bledion Nallbati, dhunoi një shofer kamioni para kamerave dhe policisë. Ky nuk është thjesht devijim! Është prova që dhuna është bërë sistem dhe metodë pune në Partinë Demokratike.
A mund t’i besojmë të ardhmen një njeriu që nuk kurseu as të vetët? A mund të rikthejmë në krye të përfaqësimit një figurë që ka treguar se kur nuk i bindesh, të rreh – kur e kundërshton, të fshin nga listat etj?
Shqiptarët kanë në dorë një vendim që shkon përtej partive, përtej flamujve dhe fjalimeve boshe. Sot nuk është thjesht një votë. Është një gjykim historik. Është një përballje mes kujtesës dhe harresës, mes dhimbjes së kaluar dhe shpresës për nesër.
A do të zgjedhim të rikthejmë hijet e errëta që sollën lot, plumba dhe varre? Apo do të kemi kurajon ta mbyllim përfundimisht kapitullin më të errët të demokracisë shqiptare duke i treguar Sali Berishës ‘vendin’ që i takon.
Historia nuk fal. Ajo shkruhet nga ata që veprojnë kur ka më shumë nevojë për guxim. Dhe sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Për të mos lejuar që nesër t’u tregojmë fëmijëve se e dinim me emër dhe adresë se kush ishte dhunuesi, por i dhamë edhe një mundësi për të disatën herë.
Zgjedhjet janë të qytetarëve. Por edhe përgjegjësia./javanews

















