Del dokumenti/ Çfarë i shkruante Elon Musk, Jeffrey Epstein në 2013-ën!
Dritare.net

Dokumente të publikuara të premten nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Elon Musk ka shkëmbyer emaile me Jeffrey Epstein në fund të vitit 2013, ku diskutohej një vizitë e mundshme në ishullin privat të këtij të fundit në Karaibe.
Sipas emaileve, më 13 dhjetor 2013 Musk i ka shkruar Epstein: “Do të jem në zonën e BVI/St. Bart’s gjatë festave. A ka ndonjë moment të përshtatshëm për vizitë?” Dy ditë më vonë, Epstein i është përgjigjur se fillimi i vitit të ri do të ishte i përshtatshëm, duke shtuar: “gjithmonë ka vend për ty”.
Në një tjetër email të dërguar në ditën e Krishtlindjes, Epstein shkruante: “data 2 ose 3 do të ishte perfekte. Do të vij të të marr.” Musk fillimisht u përgjigj se duhej të kthehej në Los Anxhelos mbrëmjen e 2 janarit, por më pas tha se mund ta shtynte nisjen me një ditë. “Kur duhet të nisemi për në ishullin tënd më datë 2?”, i shkruante ai Epsteinit.
Nuk është e qartë nga korrespondenca nëse vizita u realizua apo jo. Megjithatë, emailet tregojnë një nivel komunikimi mes dy palëve që nuk ishte bërë publik më parë.
Më herët, Musk ka deklaruar se kishte refuzuar ftesat e Epstein për të vizituar një nga dy ishujt e tij, Great St. James dhe Little St. James, në Ishujt e Virgjër Amerikanë. Little St. James konsiderohet si qendra e abuzimeve seksuale që Epstein kreu për dekada ndaj vajzave dhe grave të reja.
Pas publikimit të një serie tjetër dokumentesh në shtator, ku përfshihej edhe emri i Musk, ai u përpoq të distancohej nga Epstein, duke shkruar në platformën X se “Epstein u përpoq të më çonte në ishullin e tij dhe unë REFUZOVA”.
Përfaqësuesit e Musk nuk kanë reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment lidhur me emailet e reja të publikuara./K.C/dritare.net