Edi Rama nuk i ndahet Vlorës: Jam deputeti juaj, mos dëgjoni thashethemet! Më ikën mendja kur thonë dil shiko realitetin
Dritare.net
Ndërsa fliste për zgjedhjet e 25 prillit, kryeministri, Edi Rama tha se do të kandidojë sërish si deputet i Vlorës. Kryeministri u shpreh se do të jetë në Vlorës, edhe nëse nuk do të jetë më kryeministër, pasi ka shumë gjëra që e lidhin me këtë qytet.
“Zgjedhjet ne i fitojmë si me këto si pa këto. I fitojmë se përtej shumë individëve dënglaxhinj, populli është më i mençur se secili prej nesh veç e veç.
Asnjë individ nuk është populli. Askush nuk ka mandat dhe të drejtë të flasë në emër të popullit që flet kur i vjen dita dhe jam i sigurt që do flasë prapë drejt dhe do t’i japi Zotit atë që është e Zotit dhe Çezarit atë që është e Çezarit. Mos hapni llafe që unë nuk do jem në Vlorë, bëni kujdes nga çfarë dëgjoni, se çfarë nuk dëgjohet sot. Shumë i bien shkurt. Besojnë çfarë dëgjojnë pa bërë asnjë verifikim. Unë në Vlorë kam qenë edhe përpara se sa të bëhesha kryetar i Partisë Socialiste. Në Vlorë kam qenë edhe kur u bëra kryetar i Partisë Socialiste, në Vlorë jam dhe tani që jam kryeministër, në Vlorë do jem deri sa të jem kryeministër, në Vlorë do jem dhe pasi të mos jem më kryeministër, madje do jem dhe më shumë se do kem më pak angazhime. Më ikën mendja kur thonë dil shiko realitetin. Këta që më thonë dil shiko realitetin nuk do arrijnë dot të bëjnë në jetën e tyre aq metra sa unë kam bërë kilometra nëpër Shqipëri, duke i rënë cep më cep Shqipërisë. E di nga rruga ku jam, a ka valë a s’ka valë telefoni, saqë kur jam në makinë i them tjetrit do të marr më pak më vonë se do më ikin valët.”- tha Rama./K.C/dritare.net