Rama: Nuk ka abuzime me naftën. Të ardhurat nga rritja e çmimit do të shkojnë për pensionistët
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka përmbledhur zhvillimet kryesore të javës në podkastin “Flasim”, duke u ndalur te ecuria e ekonomisë, rritja e çmimeve të naftës, mbështetja për pensionistët dhe vlerësimet ndërkombëtare për Shqipërinë.
Sa i përket rritjes së çmimit të naftës, Rama bëri të ditur se është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave për të monitoruar tregun dhe për të evidentuar çdo abuzim të mundshëm. Ai theksoi se deri tani nuk janë konstatuar shkelje, por kontrolli vijon, ndërsa qeveria ka vendosur rikthimin e bordit të transparencës për të parandaluar abuzimet.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu një masë të përkohshme për uljen me rreth 20% të akcizës së naftës, duke theksuar se të ardhurat shtesë që do të mblidhen nga rritja e çmimit do të përdoren për mbështetjen e pensionistëve.
"Është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës, i cili do të sigurohet se nuk do të ketë përfitues apo profiterë, siç i thonë në anën tjetër të bjeshkëve, që do të duan të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep.", u shpreh kryeministri.
Një tjetër fokus ishte edhe trajtimi financiar i forcave të armatosura. Rama kujtoi se buxheti i vitit 2026 parashikon rritje të financimit për mbrojtjen me rreth 12%, ndërsa janë ndërmarrë masa konkrete si rritja e pagave për ushtarakët dhe mbulimi i kostove të transportit për çdo efektiv aktiv. Sipas tij, synimi është që deri në fund të mandatit paga e ushtarit bazë të rritet deri në 70% dhe të arrijë nivele konkurruese me vendet e NATO-s.
"Kur miratuam buxhetin e vitit 2026, vendosëm t'i japim mbrojtjes afro 12% më shumë fonde sesa viti i mëparshëm, gjë që ishte natyrisht edhe rezultati i angazhimit tonë për t'i qëndruar skedulës së rritjes së financimeve të vendeve të NATO-s, por edhe për t'i qëndruar zotimit për një trajtim gjithnjë e më dinjitoz të forcave tona të armatosura. Në fund të shkurtit, vendosëm dhe rritjen e pagave për ushtarakët, me një efekt të drejtpërdrejtë nga janari dhe në mbledhjen e fundit të qeverisë, kemi miratuar dhe mbulimin e kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv. Ky është një hap i shumëpritur dhe i mirëpritur nga të gjithë ata, që nën uniformën e Forcave tona të Armatosura i shërbejnë vendit në çdo front dhe synimi ynë mbetet një pagë konkurruese dhe një trajtim financiar, që deri në fund të këtij mandati do të jetë në mesataren e vendeve të NATO-s. E thënë ndryshe deri në fund të këtij mandati, objektivi i parashikuar dhe në ndërkohë i përkthyer në një plan rritje të pagës, është që paga e ushtarit bazë në Republikën e Shqipërisë të rritet me deri në 70 %",- tha Rama.
Në fund, Rama u ndal edhe te vlerësimet ndërkombëtare, duke përmendur raportin e Freedom House, sipas të cilit Shqipëria ka shënuar përmirësim dhe renditet si vendi më i vlerësuar në rajon për nivelin e lirisë. Ai theksoi se progresi është i dukshëm edhe në drejtim të të drejtave politike, funksionimit të institucioneve dhe luftës kundër korrupsionit, në një kohë kur demokracia në botë po përballet me sfida.
"Ndërkohë që, edhe në aspektin e të drejtave politike dhe funksionimit të institucioneve, progresi është i dukshëm, ashtu siç vlerësohen edhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe në transformimin e sistemit të drejtësisë. Por, ajo që e bën këtë rezultat më domethënës është fakti se kjo vjen në një kohë kur në nivel global liria dhe demokracia janë nën presion dhe në rënie në shumë vende të botës",- tha Rama./K.C/dritare.net