Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë duhet të dini rreth Ajatollah Ali Khameneit!

Çfarë duhet të dini rreth Ajatollah Ali Khameneit!

Ajatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, i cili drejton Iranin që nga viti 1989, po përballet me një nga momentet më të vështira të sundimit të tij, pas sulmeve të fundit të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj objektivave në territorin iranian.

Si Udhëheqës Suprem i Republikës Islamike, Khamenei mban autoritetin përfundimtar mbi të gjitha institucionet kryesore të vendit qeverinë, forcat e armatosura dhe sistemin gjyqësor duke qenë figura më e fuqishme politike dhe fetare në Iran për gati katër dekada.

Një zyrtar izraelit ka deklaruar se sulmi i fundit kishte në shënjestër drejtpërdrejt Khamenein. Megjithatë, sipas një burimi të cituar nga Reuters, Udhëheqësi Suprem nuk ndodhej në Teheran në momentin e goditjeve dhe ishte transferuar në një vend të sigurt.

Gjatë 36 viteve në pushtet, Khamenei ka ndërtuar një strategji të fortë ndikimi rajonal, duke mbështetur aleatë në Lindjen e Mesme dhe duke zhvilluar programin bërthamor iranian një çështje që ka shkaktuar tensione të vazhdueshme me SHBA-në dhe Izraelin.

Irani ka mbajtur një qëndrim të ashpër armiqësor ndaj Uashingtonit dhe Tel Avivit, ndërkohë që brenda vendit është përballur me protesta të përsëritura, të shtypura nga autoritetet me pasoja të rënda.

Sulmet e fundit vijnë në një moment delikat për regjimin iranian. Në qershor 2025, sulme të mëparshme nga Izraeli dhe SHBA-të goditën objekte të rëndësishme bërthamore dhe raketore, ndërsa disa figura të larta të Gardës Revolucionare u vranë.

Po ashtu, protesta masive të shpërthyera në janar për shkak të krizës ekonomike dhe sanksioneve ndërkombëtare u shtypën me mijëra viktima, sipas raportimeve të organizatave për të drejtat e njeriut.

Që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ndikimi rajonal i Teheranit është dobësuar ndjeshëm, duke e vendosur Khamenein përballë sfidës më të madhe të sundimit të tij. Situata mbetet në zhvillim, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të rriten.