GJKKO lejon këqyrjen e provave: Do hapen kompjuterët dhe telefonat e çështjes “Balluku”
Dritare.net

Dhjetëra telefona, kompjutera dhe USB të sekuestruara nga SPAK për dosjen Balluku do të hapen për të gjetur prova të reja. Vendimi është marrë nga GJKKO, pas kërkesës së SPAK, i detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që detyroi hapjen nga prokurori të korrespondencës vetëm me vendim gjykate, ndryshe nga siç bëhej më herët.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Erion Çela, në lidhje me sendet e sekuestruara gjatë kontrolle të SPAK, të zyrtarë dhe biznesmenë, kontrolle të ushtruara në dhjetor dhe në janar. Ky vendim sigurisht nuk lidhet me telefonë apo kompjutera të Belinda Ballukut, për shkak se ndaj saj nuk është ushtruar kontroll personal, për shkak se është deputete.
Prokurorët e çështjes i janë drejtuar gjykatës për të lejuar zbërthimin e të gjitha pajisjeve, që u janë marrë si personave nën hetim, sikurse janë ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe ish- administratori i KESH Erald Elezi, por edhe të gjithë biznesmenëve të kontrolluar. Report Tv ka mësuar se vetëm Gjylit i janë sekuestruar 2 laptopë, një telefon dhe një usb. Edhe Elezit gjithashtu i janë sekuestruar telefonë dhe kompjutera.
Gjatë kontrolleve objekti kanë qenë kompanitë e biznesmenëve të cilët kanë fituar tenderë të rrugëve me vlerë miliona euro, që SPAK po i heton, si dhe zyrtarë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës që drejtonte Belinda Balluku.
Në fund të vitit të kaluar, më 26 dhjetor SPAK ushtroi kontrolle në disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend. Kontrollet janë shtrirë te kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj fitues i tenderit për rrugën Thumanë–Kashar. Është kontrolluar edhe Ilir Shtufi, pronar i “Nova Construction – 2012” shpk, një prej 3 operatorëve që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, edhe kjo procedurë sot në hetim nga SPAK.
Në vijim të hetimeve për dosjen Balluku dhe disa bashkëpunëtorëve të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll edhe në banesën e Viola Haxhiademit, drejtoreshës së KESH-it, që deri para pak javësh mbante postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës. Pjesë e kontrolleve të SPAK ka qenë edhe drejtoresha e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Sindi Dushku si dhe banesat e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.
Dy javë më pas kontrollet janë ushtruar tek: ‘Alko Impex’ e Arbër Abazit e ‘2T’ e Artan Sakos, fitues të lotit të 7 të Unazës së Tiranës. tek ‘GPG; e Paqsor Buzit dhe ‘Senka; e Ylli Senkës, fitues të Lotit të 5 të Unazës, tek firma Albstar, fituese e Lotit të 3-të të punimeve për Unazën e Madhe të Tiranës dhe tek firma ‘Salillari’ e Pëllumb Salillarit, fitues i Lotit 1 të Unazës së Madhe. Kontrollet janë ushtruar nga BKH në Tiranë, Fier dhe Lushnje.
Ekspertimi i këtyre pajisjeve mësohet se kishte mbetur pezull, pasi deri më tani hetuesit janë fokusuar tek provat shkresore të sekuestruara në Ministrinë e Infrastrukturës. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se nga dy agjentë që po merreshin fillimisht me çështjen të Byroja Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, kanë angazhuar të paktën 10 oficerë, të cilët po kryejnë veprime intensive hetimore, si mbi materialet e sekuestruara, ashtu edhe mbi të dhëna të reja që kanë dalë gjatë hetimeve. Megjithatë, deri tani, sipas të njëjtave burime, nuk ka një rëndim zyrtar akuze për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, vartësit e saj apo biznesmenët nën hetim.
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me tunelin e Llogarasë dhe 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Ndërkohë, ajo po hetohet edhe për procedura të tjera infrastrukturore, përfshirë rrugën Kashar–Thumanë./shqiptarja.com