
Jam 93-vjeç. Do të doja një shoqe me të cilën të kuptohesha! Flet Abaz Hoxha!
Dritare.net
Kam jetuar fashizmin, komunizmin dhe censurën, por nuk paska më keq se vetmia. Kështu tha zoti Abaz Hoxha ndërsa rrëfen për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip, 93 vitet e jetës së tij, dikur partizan dhe sot historian kinematografie. Unë nuk mendoj për vdekjen tha zoti Hoxha, se kam shumë projekte që dua t’i realizoj, të vijë sa më vonë. Tani, shprehet ai, kërkoj një shoqe që të bashkëbisedojmë dhe të kuptohemi.
“Unë jetoj vetëm. Ka katër vjet që më ka vdekur gruaja. Kam marrë një grua që më shërben dy herë në javë dhe asaj i jap një pjesë të pensionit që marr. Tani dua një shoqe intelektuale, që të komunikoj me të. Të hajë, të pijë me mua, të mos shpenzojë asgjë vetëm të bashkëpunojmë të dy, të flasim. Unë kam tri vajza, njëra jeton në Amerikë, njëra në Gjermani dhe tjetra në Itali. Por nuk i shqetësoj ato. Mora vizën për në Amerikë për 10 vjet, por e lashë. Nuk jetoja dot në Amerikë. Unë dua të jem në kontakt me njerëzit këtu në Shqipëri, dua të shkruaj. Ndërsa atje do bëja një jetë parazitare dhe atë jetë nuk e dua. Unë lëviz shumë, bëj 7-8 mijë hapa në ditë. Lëvizja më ka mbajtur gjallë. Gjithë jetën e kam konceptuar si punë, aktivitet mendor dhe fizik. Kam jetuar komunizmin, fashizmin, censurën, diktaturën, por gjëja më e keqe për mua është vetmia. Vetmja dhe pesimizmi janë sëmundjet më të rënda të njeriut. Nuk paska si vetmia. Nuk mendoj për vdekjen. Dua të vijë sa më vonë se kam shumë projekte për të realizuar.", tregon zoti Abaz Hoxha në DritareTv./K.C/dritare.net

















