
Ngjela kërkon modelin italian për mbrojtjen e gjyqtarëve: Të jetojnë në një qytet të veçantë
Dritare.net
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nuk është një incident i izoluar, por kulmi i një serie sulmesh të vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Nga vrasja e kryetarit të Dhomës së Avokatisë, tek tritoli ndaj shtëpive të gjyqtarëve dhe plagosja e prokurorëve, sinjalet e alarmit kanë qenë të shumta dhe të qarta. Kjo histori sulmesh, sipas avokatit Spartak Ngjela, tregon një dështim të shtetit për të mbrojtur ata që janë në vijën e parë të luftës me krimin. I ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV, Ngjela tha:
"Unë jam i pari që kam kërkuar mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve," duke propozuar një zgjidhje radikale të frymëzuar nga Italia.
"Në Itali, gjyqtarët anti-mafia jetojnë në një qytet të veçantë, të rrethuar dhe të mbrojtur. Ata e njohin mirë mafian." Ndonëse Shqipëria nuk ka një mafia të strukturës italiane, niveli i rrezikut kërkon masa të jashtëzakonshme. Ai shtron ekuacionin e thjeshtë: nëse shteti nuk mbron dot gjyqtarët, si mund të presë që ata të godasin krimin? Frika e tyre do të paralizojë drejtësinë. Mbrojtja e tyre nuk është një privilegj, por një kusht i domosdoshëm për funksionimin e shtetit ligjor. Sipas tij, lufta kundër krimit dhe mbrojtja e gjyqësorit duhet të ecin paralelisht, ku forca mbrojtëse e shtetit duhet të jetë gjithmonë më e madhe se forca goditëse e krimit./L.F-dritare.net

















