Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shkodrës i iku edhe një djalë

Shkodrës i iku edhe një djalë

Nga Falma Fshazi

Shkodrës i iku edhe nje djalë. Me këtë rast mund të bëhet çështje edhe drejtësia, edhe pronësia edhe qytetaria.

Megjithatë Shkodërs i iku edhe një djalë, bashkëshort, baba, gjysh i ri, profesionist i hershëm.

Sot mund të flasim për drejtësinë e përçmuar, drejtësinë e kritikuar, drejtësinë e paditur, drejtësinë e munguar, drejtësinë e sakrifikuar. Mund të flasim për dosjet e secilës e secilës që qan publikisht hallin e gjyqit të vet, edhe kur fakti asht që diku pas mesit të ditës, ndërsa bënte punën e tij, u vra një gjyqtar.

Shkodërs i iku edhe një djalë.

Atij i kishte ra përsëri, ndoshta në formën ma banale të mundëshme këtë herë të merrej me një çështje pronash, nyja gordiane e historisë moderne shqiptare. Nyje mbi nyje ëndrrash, shpresash, mundimesh, zhgënjimesh, mllefesh, mashtrimesh, abuzimesh. Nyje që rrjedh si një plagë e vjetër që s’u shërua asnjëherë. Plage që mundet edhe me vra.

E vrau përsëri, Shkodërs i iku edhe një djalë.

Asht djali i familjes që qyteti e njeh sepse si i thonë, janë vendali.

Por cfarë do të thotë kjo për Shkodrën e ma në përgjithësi. Shumë prej nesh janë prej një qyteti a një vendi, e jetojmë diku tjetër. Patjetër që kudo shkojmë sjellim me vete traditën e vendit e familjes. Po cila asht tradita e Shkodërs ; me qesh, me u tall, mos me u pajtu, me këndu, me kritiku, me fol gegnishten e saj, me u mirësjellë, me respektu, me u marrë vesht, me fal, me mikpritë, me dalë me biçikletë? Cila asht? Ndoshta duhet t’i përkufizojmë tanë bashkë vlerat e traditat tona, e kshu ta ndajmë, të dihet qartë cfarë asht e pranueshme e cfarë jo, në qytetin tonë.

Se dikush që kërkonte tokë e pronë në atë qytet, vrau përsëri, e Shkodërs i iku dhe një djalë.

Realiteti virtual, individual, social e kyeqytetas u tejshkua nga plumbat e së vërtetës në terren : dhunës që nuk heziton me nxjerr kryet në tana format.

Edhe tash kur flitet për dhunë, të lutem mos merr turr i dashur lexues, me gjetë kush e ka fajin.

Përgjegjësinë e ka çdo fjalë e dhunshme, çdo veprim i dhunshëm, çdo koment me urretje e sharje, çdo shpifje, çdokush që s’ka limite para interesit personal, çdokush që i flet randë burrit, gruas, fëmijës, kolegut, kamerierit, pastruesit, kalimtarit, policit, shitësit… Cdo arrogant e arrogante në rrugët e qyteteve tona, në zyra private e publike, duhet me pa kah vedi, për ditë, pa vrapuar me kërku ndonjë fajtor.

Se vrasësi ishte njeri prej nesh derisa mori armën e gjeti arësyen t’i marri jetën dikujt, si kulmi logjik i dhunës që asht kthy në një realitet të rëndomtë, i kulmit që gjen edhe justifikime.

Shkodërs i iku edhe një djalë.

Detektori metalik që la me kalu armën asht një element, por ka dicka ma të randësishme, detektorin jo-funksional social e kulturor që solli armën deri aty.

Gjithësesi, Shkodërs i iku edhe një djalë, ashtu siç Zoti nuk pëlqen me ia kthy shpirtnat që i ka fal, prej dorës gjakatare. Vrasësi llogarinë do t’a ketë me drejtësinë e me Zotin, ne na mbetet llogaria me vetveten. Përderisa të turremi me hedh faje andej këndej, faji do mbetet jetim, dhuna do mbizotërojë, e fakti flet qartë e shumë randë, Shkodërs i iku edhe një djalë !

Prehu në paqe Astrit. I paç lanë mbrapa të fortë.

Do të doja shumë që e tana kjo të ishte një fabul që tregojmë për të thanë se duhet me pasë kujdes, por fabula u ul këmbë kryq në terren. Na kena me kenë afër njerëzve tuj ma dashtun që janë edhe njerëzit tonë, ti prehu në paqe, zotni jurist./dritare.net