Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Policia reagon për përplasjen mes PD dhe PS te “Petro Nini”: Ja çfarë konstatuam

Policia reagon për përplasjen mes PD dhe PS te “Petro

Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me incidentin pranë shkollës “Petro Nini”, ku përfaqësuesi i PD-së, Belind Këlliçi, pretendonte se po bëhej një veprimtari e paligjshme zgjedhore.

Policia thotë se konstatoi disa persona në një ambient privat, ndërsa gjatë kontrollit aty nuk u gjet asnjë material kompromentues ose të kundërligjshëm.

Policia thotë se shoqëroi personat në komisariat, ku mori deklarimet e tyre dhe të përfaqësuesve të subjekteve politike PD dhe PS. Sipas Policisë, deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka kallëzuar përfaqësuesit e PD-së, duke i akuzuar se kanë ushtruar forcë ndaj tij.

“Policia e Tiranës njofton se, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm pranë SPAK, janë duke u kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, për dokumentimin e një rasti të pretenduar sot, më datë 11.05.2025, në një ambient në rrugën ‘Marko Boçari’, Tiranë, ku është pretenduar për veprimtari të paligjshme zgjedhore.

Rreth orës 17:50, pas një njoftimi të bërë nga Belind Këlliçi, përfaqësues i Partisë Demokratike, shërbimet e Policisë shkuan në vendin e pretenduar dhe konstatuan disa shtetas pranë dhe brenda një ambienti privat, që sipas kallëzuesve funksiononte si zyrë elektorale, pa shenja identifikuese, për Partinë Socialiste.

Gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshme. Personat e pranishëm u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ushtruar forcë ndaj tij dhe personave të tjerë me të cilët ishte i shoqëruar.

Grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.

Në përfundim të veprimeve procedurale do të jepet një njoftim i plotë mbi rezultatet e hetimit,” thuhet në njoftimin e Policisë.