Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama nga Vlora: Nuk synojmë t’u zëmë frymën bizneseve. Zaptimi i trotuareve i papranueshëm

Rama nga Vlora: Nuk synojmë t’u zëmë frymën bizneseve.

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Vlora se aksioni për lirimin e hapësirave publike nuk ka për qëllim të dëmtojë bizneset, por të krijojë një balancë mes interesit publik dhe atij privat. Në një inspektim në terren dhe deklaratë për mediat, ai theksoi se çdo ndërhyrje synon të sigurojë një qytet më funksional dhe të aksesueshëm për qytetarët.

“Nuk ka tendencë për t’i zënë frymën bizneseve. Tendenca është që të harmonizohen interesat e të dyja palëve – biznesit dhe qytetarëve. Zaptimi i trotuarit është i papranueshëm. Trotuari duhet të jetë i dedikuar vetëm për këmbësorët,” deklaroi Rama.

Kryeministri njoftoi se të gjitha njësitë e shërbimit në zonën e Lungomares do të kenë një dizajn të ri, në funksion të një zhvillimi të balancuar urban. Ai shtoi se problematika e hapësirave publike është prezente në çdo rrugë të qytetit dhe se ndërhyrjet do të jenë të përhapura në të gjithë territorin.

Rama vuri në dukje se një tjetër sfidë për Vlorën është parkimi, duke paralajmëruar masa më të ashpra për shkelësit e rregullave të qarkullimit.

“Policia rrugore do të jetë shumë më e ashpër ndaj atyre që parkojnë në mënyrë të paligjshme dhe pengojnë këmbësorët. Kemi nisur ndërtimin e dy parkimeve publike dhe do të hapen edhe të tjera në vijim,” tha ai.

Në fokus ishte edhe furnizimi me ujë të pijshëm, një problem i theksuar gjatë sezonit turistik. Rama njoftoi se Ministria e Infrastrukturës po përgatit një paketë të re për reformimin e sektorit të ujësjellësit.

“Ka pasur një keqmenaxhim të ujësjellësit të Vlorës vitet e fundit. Kemi konstatuar abuzime me përdorimin e ujit të pijshëm për vaditje të bahçeve dhe tokave bujqësore. Kjo është e papranueshme. Reforma do të ketë në fokus furnizimin më të mirë në zonat turistike,” u shpreh Kryeministri./L.Fditare.net