Shpallen fitueset e Çmimit “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit 2026”
Dritare.net

Më 8 mars u finalizua edicioni i parë i Çmimit “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit 2026”, një nismë e Fondacionit M. & M. Ivanaj Institut, e krijuar për të vlerësuar përkushtimin dhe ndikimin e mësuesve në formimin e brezave të rinj.
Procesi i këtij çmimi zgjati më shumë se dy muaj dhe përfshiu propozime nga publiku si dhe votim të hapur online. Në total u regjistruan mbi 18,000 vota, duke e bërë këtë një nga nismat më të gjera të përfshirjes publike në vlerësimin e figurës së mësuesit.
Nga ky proces u përzgjodhën 10 finaliste për secilin cikël arsimor, të cilat u vlerësuan për punën, përkushtimin dhe ndikimin e tyre në komunitetin shkollor. Në përfundim, u shpallën 9 mësuese fituese, të renditura në vendin e parë, të dytë dhe të tretë për secilin cikël.
Fitueset u nderuan me kupën e çmimit dhe me një shpërblim financiar si shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në arsim:
4,000 euro për vendet e para, 3,000 euro për vendet e dyta dhe 2,000 euro për vendet e treta.
Sipas strukturës së çmimit, 70% e vlerës monetare i jepet drejtpërdrejt mësueses fituese, ndërsa 30% është e dedikuar për realizimin e një iniciative apo projekti edukativ që ajo dëshiron të zhvillojë me nxënësit e saj. Në këtë mënyrë, çmimi nuk mbetet vetëm një vlerësim personal, por kthehet edhe në një investim konkret në procesin mësimor.
Vendet e para u fituan nga Edlira Saraçi (Edith Durham), Juli Kovaçica (Edith Durham) dhe Majlinda Ziu (Sami Frashëri).
Rezultatet treguan gjithashtu një konkurrencë të fortë mes shkollave. Shkolla “Edith Durham” rezultoi më konkurruesja, me 3 fituese, duke zënë edhe vendin e parë në 2 nga 3 ciklet. “Sami Frashëri” renditet e dyta me 2 fituese, të dyja në ciklin e arsimit të mesëm.
Shkolla të tjera të përfaqësuara mes fitueseve janë edhe “Sabahudin Gabrani”, “Androkli Kostallari”, “4 Dëshmorët” dhe “Petro Nini Luarasi”.
Çmimi “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit” synon të kthehet në një traditë vjetore, duke vlerësuar figurën e mësuesit dhe duke promovuar meritokracinë në arsim, në frymën e reformatorit të arsimit shqiptar Mirash Ivanaj.