SPAK i ka dërguar thirrjen prej 6 ditësh, Berisha: Nuk e kam marrë!
Dritare.net

SPAK i ka dërguar më 7 nëntor ish-kryeministrit Sali Berisha fletëthirrje për tu paraqitur SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit. Sipas fletëthirrje, Berisha duhet të paraqitet nesër në orën 10:00, por ish-kryeministri vijon ta mohojë këtë thirrje duke thënë se nuk e ka marrë.
Ndonëse thirrjen e 3 nëntorit Berisha as nuk e hapi, SPAK i ka dërguar një thirrje të dytë në 3 adresa, tek banesa, selia e Partisë Demokratike dhe në Kuvend. Por, sërish Berisha tha nga selia blu se do të paraqitet në SPAK vetëm kur të marrë në dorë fletëthirrjen ndërsa sulmoi prokurorë e posaçëm duke i quajtur shërbëtorë që po e përdorin çështjen për të mbuluar skandalet e qeverisë.
“Jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrje të organeve të drejtësisë, do ti përgjigjem. S’ka koment. Ka vetëm një kusht, që unë të marr thirrjen. Ata që përdorin këtë për propagandë për të mbuluar skandalin Rama balluku të tunelit të Llogarasë, apo për të mbuluar skandalin e madh të aeroportit të Vlorës, ata tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bande që vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë. Njoftimi duhet të vijë siç ka ardhur dhjetëra herë të tjera dhe i jam përgjigjur. Përdorimi i kësaj është akt i shëmtuar i altin Troplinit, mercenar, i regjimit të Ramës, që kujton se mund të mbulojë sado pak me zhurma të tilla krime të shëmtuara të Ramës dhe ballukut. Asnjëherë mos më pyesni mua do shkosh, unë do shkoj në çdo rast që do thirrem nga organet e drejtësisë, s’mund të ketë hezitim dhe mëdyshje”, tha Berisha.
Thirrja e Berishës në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, bëhet vetëm pak ditë pasi në Prokurori u pyet ish-ministri i tij i Brendshëm më 21 janar 2011, Lulzim Basha.
Më herët në SPAK janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni edhe ish drejtori i Policisë se Shtetit Hysni Burgaj dhe ish-zëvendësi i tij Agron Kulicaj. Ish drejtues të lartë të Partisë Socialiste, pjesëmarrës në protestë, mes tyre edhe Sajmir Tahiri si dhe dëshmitarë në vendngjarje kanë dhënë gjithashtu versionin e tyre.
Ndërkohë, SPAK ka urdhëruar një sërë ekspertizash të reja balistike dhe po analizon një audio-regjistrim të dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dyshohet se dëgjohet urdhri për të qëlluar mbi protestuesit.
21 janarin e vitin 2011, gjatë një proteste të organizuar nga opozita e atëhershme socialiste, përballë Kryeministrisë, u vranë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Gjykatat shqiptare dënuan vetëm dy gardistë për “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa dy prej vrasjeve e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës mbetën pa autor. Ngjarja u konsiderua një krim shtetëror, dhe për vite me radhë drejtësia nuk arriti të zbardhë urdhrin dhe zinxhirin komandues të atij 21 janari.
Hetimet e reja të hapura nga SPAK në korrik të vitit 2024 synojnë pikërisht zbardhjen e plotë të përgjegjësive politike dhe institucionale të asaj dite, sipas urdhrit që erdhi nga një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Vetë GJEDNJ e quajti krim shtetëror dhe theksoi fort se zbardhja e 21 janarit është një detyrim që “ngjarje të tilla të mos përsëriten më në historinë e një kombi”.