
Viktor Doda: Ju tregoj PS-në e Ramës dhe PS-në Nanos!
Dritare.net
Në një krahasim të drejtpërdrejtë mes dy liderëve historikë të Partisë Socialiste, Fatos Nanos dhe Edi Ramës, ish-ministri Viktor Doda ka ndarë pikëpamjet e tij për mënyrën se si secili e ka drejtuar partinë dhe vendin. Për Dodën, nuk ka dyshim: "Kryeministri më i mirë i gjithë periudhës së tranzicionit mbetet Fatos Nano."
Argumenti kryesor i Dodës fokusohet te demokracia e brendshme partiake. "Fatosi ishte jashtëzakonisht demokrat. Ai e demokratizoi shumë partinë. Asnjë vendim nuk merrej pa u diskutuar me bazën, në grupin parlamentar, në kryesi. Ka pasur raste që Nanos i janë thyer dhe vendimet," shpjegoi ai, duke pikturuar një parti ku debati ishte i gjallë dhe vendimet ishin kolegjiale.
Nga ana tjetër, Doda e sheh ardhjen e Edi Ramës si një nevojë të kohës për t'u përballur me atë që ai e quan 'radikalizmin' e Sali Berishës. "Duhej një figurë e fortë përballë Sali Berishës," tha ai. Megjithatë, ai vëren një ndryshim gradual në stilin e drejtimit. "Nga 2005-2009 respektoheshin institucionet. Më vonë, me sa duket me zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ai merrte informacionet vetë dhe vendimet filluan të ndryshojnë." I pyetur nga gazetari se si ka mundësi që brezi i tij, i dalë nga Partia e Punës, ishte më demokratik se politikanët e sotëm, Doda la të kuptohet se sot mungon vullneti për të kundërshtuar liderin, një tipar që sipas tij ishte më i pranishëm në të kaluarën./dritare.net

















