Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjike, po hartojmë një të ri sipas standardeve të BE-së

Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike, duke theksuar se ai e ka përmbushur misionin e tij. Gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, Rama bëri të ditur se, në bashkëpunim me Komisionin Europian, po hartohet një ligj i ri, i përshtatur plotësisht me standardet e BE-së. Ai u ndal edhe te ligji për zonat e mbrojtura, të cilin e cilësoi ndër më të mirët që ka vendi, por tha se do të pësojë ndryshime në disa pika specifike për të garantuar përputhje të plotë me legjislacionin europian.

“Na duhet të shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjikë sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vet dhe po punojmë ngushtësisht me Komisionin për atë që do ta shfuqizojë. Na duhet ta trajtojmë ligjin mbështetur në të gjitha standardet europiane dhe të ndryshojmë gjithçka që s’është në pajtim me standardet europiane. Shfuqizimi nënkupton anulim. Ligji për zonat e mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi, kemi punuar shumë fort. Na duhet të trajtojmë pjesë specifike që duhet të jenë në pajtim të plotë me BE, edhe për këtë po punojmë me Komisionin. Shfuqizim nuk është një fjalë që e marrim si fjalë për të qenë në përputhje, është miratim 100% me standardet”, tha Rama.
P.J/Shqiptarja.com