Na ndiqni edhe në

Shëndet

Mëlçia e dhjamosur. Tre armiqtë e heshtur dhe kush duhet të ketë kujdes!

Mëlçia e dhjamosur. Tre armiqtë e heshtur dhe kush duhet


Sëmundja e mëlçisë zakonisht shoqërohet me alkoolizmin ose hepatitin, por obeziteti dhe diabeti po bëhen një kërcënim në rritje për dëmtimin fatal të mëlçisë, sipas një studimi të ri të botuar në New England Journal of Medicine.

Sipas raportit, sëmundja e avancuar e mëlçisë së dhjamosur rrit rrezikun e vdekjes së një personi me pothuajse shtatë herë. Por është një vrasës i heshtur, pasi sapo shfaqen simptomat që lidhen me dëmtimin e mëlçisë, problemi është tashmë i madh, paralajmëron studiuesja Dr. Jeanne Clark, dekane në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins.

Gjendja ndodh kur yndyra e tepërt fillon të ruhet në mëlçi, duke shkaktuar zhvillimin e inflamacionit. Në fakt, sëmundja e avancuar e mëlçisë së dhjamosur ka kaluar hepatitin C si shkaku kryesor i fibrozës dhe transplantimit të mëlçisë.

Tek njerëzit, mëlçia e dhjamosur është e lidhur me sindromën metabolike, një grup problemesh shëndetësore që janë lidhur me një rrezik në rritje të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe diabetit të tipit 2. Ato përfshijnë gjithashtu presionin e lartë të gjakut, sheqerin e lartë në gjak, yndyrën e tepërt të barkut dhe nivele jonormale të kolesterolit.

“Shpesh nënvlerësohet rreziku i shtuar i sëmundjes së mëlçisë te pacientët që janë obezë, kanë diabet të tipit 2 dhe të ashtuquajturën sindromë metabolike. Shumë prej tyre mund të vuajnë nga sëmundja latente, por progresive e mëlçisë, e cila mund të jetë fatale.”, thekson Dr. Scott Friedman, dekan në Shkollën e Mjekësisë Icahn në Spitalin Mount Sinai./K.C/dritare.net