Inxhinieri që sfidoi errësirën! Rrëfimi i një epoke ndërtimi dhe sakrifice
Dritare.net

Në një rrëfim të jashtëzakonshëm për Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, inxhinieri Emin Mysliu që qëndron pas elektrifikimit të Shqipërisë, ndau historinë e tij të pabesueshme, një jetë të kushtuar ndërtimit të veprave madhore energjetike të vendit.
Duke filluar karrierën në moshën vetëm 19-vjeçare si përgjegjës kantieri në hidrocentralin e Selitës, Mysliu u bë një nga figurat qendrore në transformimin energjetik të kombit. Ai kujton me emocion të veçantë natën e 7 nëntorit 1951, kur drita elektrike mbërriti për herë të parë në Tiranë, një ngjarje historike ku mijëra qytetarë ishin mbledhur para bashkisë duke pritur me padurim. "Ishte e vetmja vepër e inauguruar natën, pikërisht që njerëzit të shihnin ardhjen e dritës. Ishte një gjë e madhe," thotë ai, duke shtuar se deri në atë kohë, Shqipëria ishte vendi i fundit në Evropë pa energji elektrike, e zhytur në errësirë dhe duke u mbështetur te llambat me vajguri e qirinjtë.
Karriera e tij vazhdoi me ndërtimin e të gjitha hidrocentraleve kryesore të vendit: Ulëz, Shkopet, dy Bistricat, Vau i Dejës, Fierzë dhe Koman. Ai thekson me krenari qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të këtyre veprave. Për Fierzën, ai thotë: "E kemi llogaritur të gjitha me nëntë ballë tërmetin. Duhet të shkatërrohet Evropa e gjithë që të prishet hidrocentrali i Fierzës." Mysliu shprehu keqardhje të thellë për projektin e mbetur në letër të Skavicës, i cili ishte planifikuar që në vitin 1963, por u pengua nga dinamikat e brendshme politike. Ai gjithashtu kritikoi ashpër vendimin për të kthyer lumin Vjosë në Park Kombëtar, duke e quajtur një "gabim të madh" dhe një humbje të potencialit energjetik. "Ne kemi rezerva ujore të shkëlqyera dhe duhet t'i shfrytëzojmë," këmbëngul ai. Një nga pikat më të dhimbshme të diskutimit ishte periudha pas viteve '90.
Mysliu denoncoi shkatërrimin e instituteve kërkimore-shkencore, si ai i hidrocentraleve, që kishin grumbulluar dekada ekspertize. "Pse t'i prishësh? Aty ishte mbledhur ajka e trurit të njerëzve tanë," tha ai me trishtim. Ai kritikoi shitjen e hidrocentraleve të Bistricës, Ulzës dhe Shkopetit, duke e quajtur "të poshtër" dhe një tradhti ndaj djersës dhe punës së një brezi të tërë. Me një ndjenjë të thellë zhgënjimi, ai foli për arrogancën e politikës së sotme, e cila, sipas tij, nuk pyet dhe nuk konsultohet me ekspertët që ndërtuan vendin. "Nuk pyet asnjëri. Është një gjë absurde," tha ai, duke theksuar se përvoja dhe dija e brezit të tij po injorohet plotësisht.
Intervista me Emin Mysliun është një dëshmi e gjallë e një epoke ndërtimi dhe vizioni, por edhe një thirrje e hidhur për të mos harruar vlerat dhe ekspertizën që formuan themelet e Shqipërisë moderne./K.C/dritare.net