
Turp për Vlorën të mos ketë ujë 24 orë. Flet inxhinieri Kristaq Puleri!
Dritare.net
Inxhinieri, Kristaq Puleri në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV shpjegoi se kurrsesi rezervuarët e ujësjellësve nuk të vendosen në tarracën e banesave.
Zoti Puleri shpjegoi se kjo lloj metode, gjatë verës, si pasojë ka shpërthimin e infeksioneve stinore.
“Fatkeqësia është që ne shqiptarët kemi rezervuarët në tarracë. Imagjinoni kur temperaturat në Vlorë shkojnë 40 gradë, po në tarracë, tek bojlerët sipër, këto janë burim infeksioni. Janë burim i virozave stinore. Vlora nuk ka vuajtur më parë nga virozat stinore, kur unë isha i ri. Vlora furnizohet me sistem pompimi nga Uji i Ftohtë, unë ujë çezme pi. Më mirë ujë çezme sesa ujë në shishe plastike. Në kohën tonë, ne pinim ujë Gline, në shishe qelqi. Uji, rakia, të gjitha mbahen në qelq. Plastika është shumë e dëmshme për njerëzimin. Këta që shesin plastikë po na vrasin. Po të vemi në hotele luksoze, ose lokale të një niveli të lartë shohim që nuk ka plastikë. Plastika është fatkeqësia e shoqërisë njerëzore sepse është me bazë kancerogjene. Unë jam nga krahina e Lunxherisë dhe gjyshja ime kishte një shprehje: “Uji po qëndroi një natë në bucelë nuk është për të pirë, por për gjellë.”
Uji është i pasur me oksigjen kur del nga burimi dhe jo kur është në plastikë. Në këtë vapë virozat dhe sëmundjet vdekjeprurëse nisin tek uji i mbajtur në atë plastikë. Jemi të rrezikuar nga plastika dhe nga rezervuarët. Depozitat që janë në pallate, në kate nëntokë janë shumë herë më të pastra se depozitat në tarracë. Sepse nuk janë nën efektin e temperaturave të larta. Këto janë burim i virozëve. Është mirë që të pastrohen depozitat një herë në tre muaj minimumi. Uji ka gjithmonë mbetje, përveç atij të burimit. Ndaj ne duam ta çojmë ujin e burimit në çezmat e shqiptarëve. Shqipëria ka me bollëk burime, mjafton të punohet. Nuk ka infrastructure”, tha inxhinieri./M.K-dritare.net

















