Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Flet inxhinieri i ujërave: Mos blini ujë me shishe plastike!

Flet inxhinieri i ujërave: Mos blini ujë me shishe plastike!

Uji në shishe plastike vret! Ky ishte mesazhi që përcolli inxhinier Kristaq Puleri në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV. Zoti Puleri tregon se vetë preferon të pijë ujë çezme ose në qelq, por kurrë nuk pi ujë në shishe plastike, që sipas tij janë fatkeqësi e madhe e njerëzimit. Inxhinieri ngre edhe një shqetësim tjetër, që është hedhja në mënyrën e gabuar të klorit, në depozitat e ujit. Ai jep këshilla se kur duhet ta pimë ujin që të shmangim pirjen e klorit.


“Unë pi ujë çezme në Vlorë, në Tiranë, në Kukës, kudo ku jam. Më mirë ujë çezme sesa ujë në shishe plastike.

Në kohën tonë, ne pinim ujë Gline, në shishe qelqi. Uji, rakia, të gjitha mbahen në qelq. Plastika është shumë e dëmshme për njerëzimin. Këta që shesin plastikë po na vrasin. Po të vemi në hotele luksoze, ose lokale të një niveli të lartë shohim që nuk ka plastikë. Plastika është fatkeqësia e shoqërisë njerëzore sepse është me bazë kancerogjene. Unë jam nga krahina e Lunxherisë dhe gjyshja ime kishte një shprehje: “Uji po qëndroi një natë në bucelë nuk është për të pirë, por për gjellë.”

Uji është i pasur me oksigjen kur del nga burimi dhe jo kur është në plastikë.

Në këtë vapë virozat dhe sëmundjet vdekjeprurëse nisin tek uji i mbajtur në atë plastikë. Jemi të rrezikuar nga plastika dhe nga rezervuarët.

Depozitat që janë në pallate, në kate nëntokë janë shumë herë më të pastra se depozitat në tarracë. Sepse nuk janë nën efektin e temperaturave të larta. Këto janë burim i virozëve. Është mirë që të pastrohen depozitat një herë në tre muaj minimumi. Uji ka gjithmonë mbetje, përveç atij të burimit. Ndaj ne duam ta çojmë ujin e burimit në çezmat e shqiptarëve. Shqipëria ka me bollëk burime, mjafton të punohet. Nuk ka infrastrukturë.

Më vjen keq që do ju përmend një rast për klorifikimin e ujit. Unë vajta në një ujësjellës dhe pashë punëtorin që hidhte klorin me kovë në depo. Ka aparat për të hedhur klorin, ai kishte marrë kovën. Këto fenomene duhen zhdukur. Ka aparate shumë të mira për klorifikimin e ujit. Ndërmarrja e Tiranës e ka zgjidhur këtë problem.

Një këshillë ju jap. Mos pini ujë në mëngjes! Unë nuk mbush ujë në mëngjes, por në darkë. Sepse zakonisht punëtori shkon në mëngjes, hap bidonin e klorit edhe hedh me shumicë në depo. Atë nivel do ketë dhe uji në mëngjes. Në darkë është pastruar klori dhe uji është pijshëm.”, tha inxhinieri në DritareTV./K.C/dritare.net