
Ne shpuam puset e ujit në Sazan. Ja e vërteta! Flet inxhinieri Kristaq Puleri!
Dritare.net
A ka ujë të pijshëm Ishulli i Sazanit? Po ka, tha inxhinieri Kristaq Puleri i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV. Inxhinier Puleri tregon kur filloi të nxirrej ujë i pijshëm për herë të parë në Sazan dhe si furnizohej ishulli me ujë para 1981-shit.
“Përpara 1981-shit Ishulli i Sazanit furnizohej me ujë nëpërmjet cisternave. Në 3-4 ditë vinin cisterna me ujë dhe furnizonin ishullin. Uji çohej te depoja e marinës, nga aty çohej me sistem pompimi në depon qendrore që furnizonte gjithë ishullin, banesa, reparte ushtarake, çerdhe, spitale. Ujin që pinim, lanim e merrnim nga kjo depo. Në 1981-shin u kërkua që të sigurohej uji nga sipërfaqja tokësore e Sazanjt. Pra të nxirrej ujë. Për herë të parë erdhi sonda në Ishullin e Sazanit. Ne bëmë shpime të cekëta me sonda dhe nxorëm ujë. Unë bashkë me inxhinierët e tjerë bëmë 5 shpime dhe gjetëm ujë shumë të mirë. Në Sazan ka ujë shumë të mirë për të pirë. Nuk është kot teoria e popullit: Ku ka bimësi, ka ujë. Ne arritëm të sigurojmë ujë për atë kapacitet të popullsisë që ishte në Sazan, pra rreth 2 mijë banorë.”, tha inxhinieri në DritareTV./K.C/dritare.net

















