Na ndiqni edhe në

Shqip

Zamira Durdaj, mund të ndryshojë Shqipërinë! Flet gazetari që investigoi Gërdecin!

Zamira Durdaj, mund të ndryshojë Shqipërinë! Flet gazetari

“Nuk e di se kur, nuk e di sesi, nuk e di se ku do të shkojë apo kush do të mbajë përgjegjësi, por di se janë nëna të tilla, si nëna e fëmijës 7 vjeç vrarë në Gërdec, që mund ta ndryshojnë Shqipërinë dhe botën” , kështu shprehet gazetari investigativ Guy Lawson për Zamira Durdajn, e cila humbi djalin e saj 7 vjeç në tragjedinë e Gërdecit, por kurrë durimin për të kërkuar drejtësi deri në fund për ata që i morën djalin. Në një intervistë për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Lawson thotë se Gërdeci nuk është një histori politike apo juridike por njerëzore.

Rudina Xhunga: Siç e shikon nga kjo foto, as bluza ime nuk ka ndryshuar. Në intervistën që bëmë dikur bashkë, në vitin 2016, më thatë se nëse donte Edi Rama, do të rihapej dosja Gërdeci.

Guy Lawson: Po, e vërtetë. Për shkak se kisha biseduar me dikë në partinë e Edi Ramës në Nju Jork, kisha ndjesinë se kjo gjë do të ndodhte. Jo vetëm kaq, por edhe se padrejtësia ishte aq e madhe, dhe e di që ka pasur një efekt të tmerrshëm te shqiptarët, të kuptonin se ishin të pambrojtur, ndërsa diçka kaq e tmerrshme mund t'u ndodhte njerëzve krejtësisht të pafajshëm. Ndaj nuk mendoja që kjo çështje thjesht do të varrosej dhe harrohej. Nuk mund të varrosej përgjithmonë.

Këto ngjarje një ditë nxjerrin kokën nga e kaluara dhe e vërteta, një dite del.

Mbetem shumë i interesuar të zbuloj se cila është ajo e vërtetë dhe çfarë drejtimi do të marrë gjykimi, pa ndikimin e frikës apo politikës. Mendoj se banorët e Gërdecit e meritojnë këtë, por jo vetëm ata, edhe sistemi politik shqiptar ka nevojë për të treguar te vërtetën e Gërdecit, nëse Shqipëria do të bëhet vërtet ndonjëherë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të zërë vendin e saj në bashkësinë e kombeve te qytetëruara.

Rudina Xhunga: Në SPAK e ka çuar Zamira, nëna e fëmijës 7 vjeç, Erit. Gruaja që nuk u dorëzua asnjëherë. E jashtëzakonshme.

Guy Lawson: Mendoj se kjo është diçka shumë e bukur.

Rudina Xhunga: Unë e kam intervistuar disa herë, por kam qarë jo vetëm herën kur shkova në shtëpinë e saj, por atëherë kur ajo për herë të 100-të mori përgjigje negative nga drejtësia dhe qëlloi me grusht xhamat e gjykatës. Por nuk u tërhoq asnjëherë.

Guy Lawson: Unë kam fëmijë vetë dhe është shumë e vështirë të imagjinosh dhimbjen e një nëne; është thjesht e tmerrshme ta mendosh dhe kjo është një nga arsyet pse interesimi im mbetet për këtë çështje sepse është një histori njerëzore. Nuk është thjesht një histori politike apo juridike. Është një histori njerëzore. Një fëmijë 7 vjeç ka humbur përgjithmonë për shkak të këtyre idiotëve, këtyre idiotëve kriminelë. Dhe ndaj mendoj se drejtësia duhet të vendoset. Nuk e di se kur, nuk e di sesi, nuk e di se ku do të shkojë apo kush do të mbajë përgjegjësi, por di se janë nëna të tilla, si nëna e fëmijës 7 vjeç vrarë në Gërdec, që mund ta ndryshojnë Shqipërinë dhe botën./L.F-dritare.net