Flet gazetari Guy Lawson: I gatshëm të dëshmoj në SPAK për Gërdecin!
Dritare.net
Guy Lawson, gazetari investigativ amerikan, vjen sonte ne një rrëfim ekskluziv në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV. Autor i librit “Armët dhe çunat”, rijep pas 7 vjetësh intervistën e dytë për gazetaren Rudina Xhunga, për çështjen e Gërdecit, pas zhvillimeve të fundit në SPAK për dosjen e kësaj tragjedie.
Lawson tregon çfarë di ai për çështjen e Gërdecit dhe nëse është i gatshëm të japë dëshminë e tij në SPAK. Gazetari tregon për Dritare TV gjyqin e gjatë me Shkëlzen Berishën dhe përfshirjen e këtij të fundit në tragjedinë e Gërdecit.
Intervista e plotë!
Rudina Xhunga: Do flasim në shqip apo në anglisht?
Guy Lawson: Mendoj e do të merrni më shumë nga unë në anglisht sesa në shqip. Në shqip ndoshta veç një birrë mund të porosis.
Rudina Xhunga: Megjithatë lidhja juaj me Shqipërinë ju ka bërë të mësoni jo pak fjalë shqip.
Guy Lawson: Epo, unë e dashuroj Shqipërinë. Kam qenë atje gjatë luftës së Kosovës dhe kam vazhduar të ruaj një interes për vendin tuaj teksa po përpiqet të kalojë në nje nivel te ri, duke u bere një vend më evropian. Më kujtohen ditët e katastrofës së ndërrimit të sistemit dhe ato vitet e tmerrshme të pas '90-ës, ndaj kam vërtetë dobësi për Shqipërinë.
Rudina Xhunga: Siç e shikon nga kjo foto, as bluza ime nuk ka ndryshuar. Në intervistën që bëmë dikur bashkë, në vitin 2016, me thatë se nëse donte Edi Rama, do të rihapej dosja Gërdeci.
Guy Lawson: Po, e vërtetë. Për shkak se kisha biseduar me dikë në partinë e Edi Ramës në Nju Jork, kisha ndjesinë se kjo gjë do të ndodhte. Jo vetëm kaq, por edhe se padrejtësia ishte aq e madhe dhe e di që ka pasur një efekt të tmerrshëm te shqiptarët, te kuptonin se ishin të pambrojtur, ndërsa diçka kaq e tmerrshme mund t'u ndodhte njerëzve krejtësisht të pafajshem. Ndaj nuk mendoja që kjo çështje thjesht do të varrosej dhe harrohej. Nuk mund të varrosej përgjithmonë.
Këto ngjarje një ditë nxjerrin koken nga e kaluara dhe e vërteta, një dite del.
Mbetem shumë i interesuar të zbuloj se cila është ajo e vërtetë dhe çfarë drejtimi do të marrë gjykimi, pa ndikimin e frikës apo politikes.
Mendoj se banorët e Gërdecit e meritojnë këtë, por jo vetem ata, edhe sistemi politik shqiptar ka nevojë për të treguar të vërtetën e Gërdecit, nëse Shqipëria do të bëhet vërtet ndonjëherë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të zërë vendin e saj në bashkësinë e kombeve të qyteteruara.
Rudina Xhunga: Ju interesoheni për të vërtetën që do të nxjerrë gjyqësori në Shqipëri sepse ju vetë e dini të vërtetën!
Guy Lawson: Epo, unë i di akuzat. Unë nuk kam fuqinë hetimore si SPAK-u. Nuk kam mundësinë t'i detyroj njerëzit të vijnë dhe t’i përgjigjen pyetjeve të mia, por unë pyetjet e mia i kam bere në librin tim “Armët dhe çunat” , që sic e dini, është bërë film. Pjesë e historisë ishte eksportimi i municioneve AK-47, por kishte edhe shumë gjëra të tjera që ndodhën në Gërdec duke përfshirë municionet e kalibrit të madh. Personat përgjegjës të atij projekti po përdornin fëmijë dhe gra për të çmilitarizuar ose për të shpëtuar materiale të tjera të çmuara që kishin municionet.
Unë jam gazetar investigues, por jo gjykatës siç është SPAK-u dhe nuk kam akses të intervistoj njerëz të që e dinë të vërtetën, në Shqipëri. Mund të them se, edhe pse hetimi i SPAK-ut ka vonuar prej kohësh, jam shumë i kënaqur që po vazhdon. Kështu që unë kam një interes të vazhdueshëm për çështjen e Gërdecit si gazetar, por edhe si njeri dhe si dikush që i uron më të mirën kombit dhe popullit të dashur shqiptar. Më duket se ky lloj niveli padrejtësie të paadresuar, me të vërtetë infekton pjesën tjetër të klasës politike në vend.
Rudina Xhunga: Ju mësuat që Fatmir Mediu u rithirr në SPAK. Atë ditë ju nuk patët ndonjë surprizë kur ne komunikuam në e-mail, nuk shprehët ndonjë habi. Apo jo?
Guy Lawson: Jo, aspak. Nuk u habita fare. Dua të them, ju duhet kujtoni kohën kur ndodhi Gërdeci. Shqipëria po përpiqej të bëhej pjesë e NATO-s në atë kohë dhe rruga që politika vendase po ndiqte ishte kaq e paligjshme dhe qesharake. Siç mund ta dijë kushdo që ka qenë në atë kohë në Shqipëri, atje kishte një stok të madh armësh të dekadave të mëparshme, trashëguar nga komunizmi dhe politikanet e post ‘90, po tregoheshin kaq të pamatur duke u përpjekur të përfitonin nga gjithe ajo pasuri. Kjo është pyetja e madhe që SPAK-u duhet të hetojë; Kush janë njerëzit që përfituan? Ju e dini, që kjo sjellja e tyre, është joetike për t'u bërë anëtare e NATO-s. Ka kaq shumë ironi në këtë histori sepse Shtetet e Bashkuara kishin vërtet nevojë për ato municione në Afganistan dhe kjo gjë po funksiononte. Por më pas qeveria e Shteteve të Bashkuara ia mohoi vetes këto municione jetike, në një kohë jetike për botën, ndoshta për arsye qesharake, sepse municionet nga Shqiperia ishin kineze. Por keto arsye qesharake nuk e bejne çështjen Gërdeci me pak serioze. Çështja Gërdeci është shumë serioze. Për sa i përket z. Mediu, unë e di se ai ka qenë një mjeshtër në të shkuarën për të insinuuar lidhjet e tij me politikanë amerikanë; kam parasysh mbledhjet e “Lutjes së Mëngjesit” ku ai shkon çdo vit dhe madje di që këto ditë, ishte në median shqiptare, duke shtrënguar dorën me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Amerikë. Nuk di të them për çfarë apo çfarë kuptimi ka kjo foto. Nuk mendoj se ka ndonjë kuptim dhe kjo nuk duhet të ketë asnjë lloj kuptimi për SPAK.
E vërteta është se qeveria amerikane ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryeministrit Berisha dhe familjes së tij të afërt, ku bën pjesë edhe djali i tij, sepse ata janë cilësuar nga Sekretari i Shtetit si persona të korruptuar. Kjo është një akuzë shumë serioze dhe ne vetëm mund të nënkuptojmë se çfarë do të thotë kjo, pasi ata kurrë nuk na kanë thënë pse vërtet. Por nuk duhet të jesh matematikan apo gjeni për të menduar se kjo lidhet me atë çfarë ndodhi në Gërdec. Unë e di, nga takimet me zyrtarë të ndryshëm shumë të lartë të Ambasadës Amerikane në Shqipëri në atë kohë, se ata ishin në dijeni të asaj që po ndodhte me demontimin e municioneve, po ashtu njerëzit e Kombeve të Bashkuara ishin në dijeni të asaj çfarë po ndodhte. Pra, nuk ishte sekret. Fakti që u ndrydh për kaq gjatë është vërtet një tragjedi për familjet që kanë vuajtur. Jam i lumtur të shoh që familja e një prej viktimave ka qenë shkaku i këtij hetimi nga SPAK-u.
Rudina Xhunga: Në SPAK e ka çuar Zamira, nëna e fëmijës 7 vjeç, Erit. Gruaja që nuk u dorëzua asnjëherë. E jashtëzakonshme.
Guy Lawson: Mendoj se kjo është diçka shumë e bukur.
Rudina Xhunga: Unë e kam intervistuar disa herë, por kam qarë jo vetëm herën kur shkova në shtëpinë e saj, por atëherë kur ajo për herë të 100-të mori përgjigje negative nga drejtësia dhe qëlloi me grusht xhamat e gjykatës. Por nuk u tërhoq asnjëherë.
Guy Lawson: Unë kam fëmijë vet dhe është shumë e vështirë të imagjinosh dhimbjen e një nëne; është thjesht e tmerrshme ta mendosh dhe kjo është një nga arsyet pse interesimi im mbetet për këtë çështje sepse është një histori njerëzore. Nuk është thjesht një histori politike apo juridike. Është një histori njerëzore. Një fëmijë 7 vjeç ka humbur përgjithmonë për shkak të këtyre idiotëve, këtyre idiotëve kriminelë. Dhe ndaj mendoj se drejtësia duhet të vendoset. Nuk e di se kur, nuk e di sesi, nuk e di se ku do të shkojë apo kush do të mbajë përgjegjësi, por di se janë nëna të tilla, si nëna e fëmijës 7 vjeç vrarë në Gërdec, që mund ta ndryshojnë Shqipërinë dhe botën.
Rudina Xhunga: Ndërkohë, lajmi tjetër dhe hera e parë praktikisht, ishte kur Shkëlzen Berisha, djali i Sali Berishës, u thirr në SPAK. Në këtë moment edhe ju u bëtë i interesuar. Ju duk dhe juve ky një lajm për drejtësinë shqiptare?
Guy Lawson: Po, ashtu m’u duk. E pashë këtë në lajme. Siç e mbani mend, Berisha Junior, më paditi në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se unë thashë gjëra që ishin shpifëse për të, por ajo çështje u pushua . Gjykatat gjetën se kishte zero shanse që Berisha Junior të mund të kishte sukses në një gjyq dhe kjo u apelua nga avokatët e tij, deri në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara dhe u hodh poshtë 8 me 1 ose 7 me 2 ndoshta, nuk më kujtohet.
Por çështja ishte se Berisha Junior, pra Shkëlzeni, pohonte se nuk ishte personazh publik, ndaj nuk duhej te prekja imazhin e tij, si një person privat. Atëherë botuesi im bëri një sondazh me shqiptarët se sa njerëz e dinin emrin e tij, doli se ishte 100%.
Në Amerikë ka një ligj që nëse je personazh publik, kur ngrenë akuza duhet të vërtetosh që gazetari e dinte ose me keqdashje nuk donte të dinte të vërtetën dhe megjithatë e publikoi.
Kjo për mua ishte një akuzë qesharake sepse libri “Armët dhe çunat” nuk ka thënë asgjë më shumë se sa është thënë me specifikë dhe akuzë të mprehtë në media të tjera. Unë kam raportuar për biseda shumë specifike që dyshohet se kanë ndodhur. Berisha Junior, pohoi se nuk i ka bërë. Epo, unë shpresoj që SPAK-u do t'i trajtojë këto çështje dhe e di që për t'i shkuar vërtet deri në fund, do të ketë nevojë për më shumë dëshmitarë, përfshirë ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, z.Luan Hoxha, i cili u arratis në Shtetet e Bashkuara në kohën e shpërthimit në Gërdec dhe tani jeton në Bronks. Do të doja shumë të dëgjoja se çfarë ka për të thënë.
Rudina Xhunga: Ju e keni takuar Luan Hoxhën? Foli ndonjëherë ai për ju?
Guy Lawson: Jo, nuk jam takuar, por kam raporte për takimin që ai pati me zyrtarë të lartë në Tiranë, duke thënë se ai kishte frikë për jetën e tij, dhe sesi shqetësimet e tij u morën seriozisht aq sa qeveria amerikane, nuk ka rëndësi për çfarë arsye, pasi nuk e treguan kurrë, e nxori Luan Hoxhen nga Shqipëria. Ky fakt flet shumë për pamëshirën e njerëzve që u përfshinë në tragjedinë e Gërdecit dhe gjithashtu për mënyrën se si qeveria amerikane nuk ka bërë realisht adresimin e duhur të këtyre çështjeve dhe kontekstit shqiptar.
Shtetet e Bashkuara vërtetë kanë fuqinë për ta bërë shoqërinë shqiptare të ketë besim ndaj drejtësisë dhe vetëm kështu mund ta bëjnë, në vend që t'i groposin këto gjëra, duhet t’i nxjerrin ato në sipërfaqe dhe ta trajtojnë popullin shqiptar me respekt. Mendoj se ky do të ishte një shërbim shumë më i mirë sesa të bëjnë foto me një person i cili sapo është trajtuar si politikan i korruptuar nga investiguesit shqiptarë dhe pas tre ditëve shfaqet në Uashington duke shtrënguar duart me dikë që duhet të jetë më i informuar para se të pranojë t’i japë dorën dikujt që duhet të japë llogari.
Rudina Xhunga: Duke u kthyer sërish pas, ju pra mendoni që ka lidhje shpallja e Berishës non-grata me Gërdecin.
Guy Lawson: Po. Unë mendoj se njerëzit në Ambasadë kishin dijeni se po ndodhte një korrupsion grotesk me municionet, jo vetëm me AEY, por në përgjithësi. Nuk mund të them për kalkulimet politike për të mos i dhënë popullit shqiptar drejtësinë e zbulimit se çfarë ndodhi vërtetë dhe në vend të kësaj duke zgjedhur idenë e interesit amerikan që la vdekjen e atij djali 7-vjeçar në prapaskenë. Nuk e kuptoj dhe nuk pretendoj të mendoj se është e moralshme apo e detyruar. Mendimi im është që Shqipëria, si një vend i ri, po zhvillon realisht sistemet e saj politike, shtypin e të tjera insitucione në dy dekadat e fundit dhe përpjekjet e reja duhen ushqyer e kujdesur dhe nuk duhen trajtuar si një tjetër gur shahu në tavolinën e lojes. Më duket sikur popullit shqiptar nuk i është bërë shërbimi siç duhet vetëm duke e ndaluar Berishën të shkojë në SHBA, por nga ana tjetër duke mos e përballur realisht me problemin. Dua të theksoj se ky është opinioni im.
Rudina Xhunga: Por është opinioni i një njeriu që ka shumë njohuri për faktet dhe kjo është e rëndësishme.
Guy Lawson: Kam 10 vjet që investigoj për këtë ngjarje dhe kam një jetë të tërë si gazetar dhe si avokat. Nuk mbaj mëri, nuk jam kundër asnjë force politike në Shqipëri dhe nuk kam asgjë tjetër përveç shqetësimit për shoqërinë civile shqiptare, shqetësim për ato familje të përfshira dhe më pas shqetësim që sistemi gjyqësor të bëhet i qëndrueshëm dhe të ketë integritet real.
Rudina Xhunga: Sepse kjo është një çështje e cila u gjykua në Amerikë. Keq apo mirë, ata njerëz që u përfshinë ,morën gjykimin. Në Shqipëri nuk ndodhi asgjë.
Guy Lawson: Po, jam dakord me ty. Madje edhe njerëzit që u dënuan në Shqipëri, u dënuan për gjëra qesharake. Nuk u dënuan për thelbin e vërtetë të asaj që po ndodhte. Nuk ka një gjë të tillë si sistemi i përsosur i drejtësisë me aq sa di unë gjatë jetës sime duke punuar për histori të ndryshme, por në këtë rast ajo që ndodhi ishte se të gjithë këta të ashtuquajtur ‘të rritur’; politikanët, zyrtarët, ushtria, Pentagoni, Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara dhe duke përfshirë edhe strukturat politike shqiptare; të gjithë dolën paq me pothuajse asgjë, asnjë akuzë. E dini, kur dritat u ndezën dhe të gjithë minjtë u larguan, aty qëndruan tre fëmijë dhe kështu ata u ndëshkuan. Di me siguri që libri im dhe historia rreth kësaj çështjeje ndryshoi mënyrën se si Pentagoni nisi të operojë për sa i përket blerjes së armëve dhe pasjen e sistemeve më të mira. Por nuk jam i sigurt që Shqipëria ka nxjerrë vërtet mësimet e duhura nga kjo, nuk jam i sigurt te sistemi ligjor. Prandaj kam shumë shpresë që SPAK-u dhe kjo nënë e mrekullueshme mund të hedhin dritë. Unë do të vazhdoj të kem interes për këtë çështje dhe me të vërtetë do të doja të shkruaja për të, nëse gjen zgjidhje.
Rudina Xhunga: Sepse në fakt çfarë po ndodh nuk është më lajm në shtypin ndërkombëtar ndërsa në rast se diçka ndodh ju do të shkruani për të.
Guy Lawson: Po, mendoj se do të isha i interesuar ta bëja këtë. Ndoshta kjo vjen nga fëmijëria ime, sepse unë kam lindur në Kanada, por jetoj në Amerikë dhe e di se si ndihen këto vende të vogla kur nuk merr kurrë vëmendjen e duhur, sic ndodh me ju. Dhe kjo eshte e padrejte, sepse jeta e shqiptarëve është po aq e vlefshme sa çdo qenie tjetër njerëzore. Pra, po, mbetem i interesuar për historinë, ende mendoj se Shqipëria është një vend i bukur i populluar nga njerëz të bukur. Kam kaluar shumë mirë kur kam qenë atje, edhe pse ka pasur luftë, dhe nuk kam gjë tjetër veç urimet më të mira dhe interesim të vazhdueshëm për zhvillimin e vendit tuaj.
Rudina Xhunga: Ju nuk keni qenë më në Shqipëri qysh nga lufta, nuk na keni parë më në paqe.
Guy Lawson: Jo, nuk kam qenë dhe do të doja të kthehesha. Kur shikoj tani, mendoj se 20 vite më parë, duhej të kisha blerë një copë tokë në plazhin e Durrësit dhe do të shkoja atje gjatë gjithë kohës, sepse duket kaq i bukur.
Rudina Xhunga: Jeni ende në kohë.
Guy Lawson: Në atë kohë isha i ri dhe beqar. Tani, jo më.
Rudina Xhunga: Po bëj dhe një ndalesë në këtë aktualitetin tonë. E keni ndjekur në shtypin amerikan, ate që në shtypin shqiptar është çështje e ditës? E kam fjalën për Charles McGonigal.
Guy Lawson: Po e ndjek me shumë, shumë vëmendje dhe mbase do jetë projekti im i radhës, edhe pse nuk e di se si do përfundojë. Por duket qartë se oficeri i FBI-së që ka bërë diçka të paligjshme. Fakti që përfshin shqiptarë që me sa duket paguajnë ryshfet, nuk është befasuese. Por fakti që një ish-agjent i FBI-së asociohet me një ngjarje të tillë është çmenduri. Unë sapo mbarova së shkruari një libër dhe skenarin e filmit mbi atë libër, që ka të bëjë me sportet, si basketbolli dhe futbolli, në kolegjet amerikane. Unë nuk jam një adhurues i sporteve të kolegjit, por është historia e një mashtrimi, ku një agjent i FBI-së u infiltrua për disa vite dhe regjistroi duke zbuluar korrupsionin e madh në sportet e kolegjit, por ajo që është interesante është fakti që FBI-ja e hodhi në kosh atë çështje.
Kështu që i njoh shumë mire dështimet e zyrës së Nju-Jorkut, në veçanti FBI-së, dhe mendoj se ajo që do të dalë në pah janë problemet serioze, veçanërisht me zyrën e FBI-së në Nju-Jork. Unë kam shkruar për policët në Nju-Jork dhe përreth Nju-Jorkut për rreth 25 vjet dhe nuk më habit fakti që McGonigal ka menduar se mund të shpëtonte. Një nga shenjat dalluese të njerëzve që futen në telashe është se ata mendojnë se të gjithë të tjerët janë budallenj, por më pas del se janë ata budallenjtë e vërtetë.
Rudina Xhunga: Vërtetë ishte ish e dashura ajo që e demaskoi Charlie-n?
Guy Lawson: Kështu duket. Ajo duket të jetë një figurë mjaft e pazakontë në vetvete. Më duket se ajo po jeton në shtëpinë e Rudy Giuliani, që ndoshta nuk është vendi më i mirë në botë ku mund të varësh shpresat, sepse zoti Giuliani tani po jeton në botën e tij të fantazisë, i është mbyllur zyra e avokatisë, reputacioni i tij është shkatërruar.
Nuk e di pse ajo grua dëshiron ta shkatërrojë atë, por mesa duket ka folur se i ka telefonuar gruas së tij gjithë kohës dhe se ishte shumë e zemëruar që e kishte ndarë, por kështu dalin këto gjëra, apo jo. Ka gjithmonë një pjesë njerëzore të çdo historie. Por ajo që mendoj është se zoti McGonigal ka bërë disa gjykime vërtetë të dobëta.
Rudina Xhunga: A dënohet për çështje të tilla, a ka një dënim të rëndë? Apo akoma nuk është e qartë se çfarë ka bërë ai, sepse ne media merremi shumë me pjesën shqiptare dhe agjentët shqiptarë që i dhanë atij lekë, mirëpo nuk dimë mirë pjesën tjetër se çfarë ka ndodhur.
Guy Lawson: Oh po, ai është në një nivel shumë të lartë rreziku. Nëse ai ka marrë para nga aktorë të huaj pa i raportuar ato si agjent i FBI-së, madje edhe si agjent i FBI-së pra në pension, ka ligje shumë serioze federale kundër kësaj. Por përsëri, mënyra se si funksionojnë këto hetime në Shtetet e Bashkuara, zgjat shume. Shpesh ndodh që hetohen edhe shumë njerëz të tjerë dhe një ose më shumë prej tyre do të fillojnë t'i tregojnë qeverisë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe në atë mënyrë ka për të dalë e vërteta. Për t'u rikthyer te Gërdeci, pikërisht kjo është gjëja që mendoj se duhet të bëjë SPAK-u, pra të gjejë njerëz që thonë të vërtetën për atë çfarë ka ndodhur. Sa i takon zotit McGonigal, mendoj se është vetëm në fillimet e hetimit, por mund të ketë shumë rrezik për të. Do ta ndjek me shumë kujdes.
Rudina Xhunga: Po për sa i përket kryeministrit shqiptar Edi Rama, a keni parë permendjen e tij për kontaktet e tij me McGonigal? Për çfarë mund t’i duhej ai si një kontakt i tillë ne FBI ? A mendoni se ai mund të ndikonte për të shpallur non-grata kundërshtarë të tij politikë?
Guy Lawson: E kam parë lidhjen e kryeministrit të Shqipërisë të përmendur në shtypin amerikan. Nuk është shfaqur aq sa të kuptoja qartë, se cilat mund të kenë qenë motivet e zotit Rama, por nëse ai asociohet me një agjent të FBI-së për para që paguhen në emër të tij, kjo është një shenjë se sistemi politik shqiptar ka nevojë për reformim.
Është e vështirë të shihet se si mund të ndodhë kjo gjë nëse vendet e tjera nuk marrin vërtet përgjegjësi për veprimet e tyre të këqija në Shqipëri. Sepse në këtë rast do të ishte një zyrtar amerikan që ka marrë para nga një shqiptar, gjë që duhet të ketë pasoja, në të dy anët e oqeanit.
Nuk e di se çfarë do të ndodhë ,nëse kryeministri Rama do të paguajë ndonjë çmim politik apo do të ketë ndonjë rrezik ligjor, nuk e di. Unë nuk e kam parë atë të përmendur.
Rudina Xhunga: Si nuk është përmendur? Sepse opozita këtu, pra z. Berisha, po flet shumë për këtë fakt. Ai po kërkon dorëheqjen e Ramës për shkak të lidhjeve të tij në Amerikë, ndersa ne nuk dimë çfarë lidhje ka pasur dhe a jane dhënë vërtetë këto lekë, në emër të tij. diçka që z. Rama nuk e pranon.
Guy Lawson: Epo po, nuk jam i surprizuar, pasi duket se politika është një “sport” i vështirë në Shqipëri dhe nuk jam aq i surprizuar sepse ka aq shumë mosmarrëveshje në parlament. Por, mendoj se kryeministri Rama, i cili erdhi në pushtet, siç e kam kuptuar, duke premtuar se do të përmirësonte vërtet korrupsionin në Shqipëri, nga ajo çfarë la administrata e mëparshme, nuk do të portretizohet në këndvështrimin më pozitiv. Korrupsioni është pjesë e gjendjes njerëzore, atë mund ta hasësh kudo dhe është i përhershëm. Nuk po pretendoj që Shqipëria një ditë do të kthehet në model të virtytit.
Por të zhgënjesh, si ne rastin e djalit 7-vjeçar në Gërdec, ky eshte nje tjeter nivel.
Unë nuk di shumë për zotin Rama, përveç asaj që thashë, që mendoja se ai po premtonte se do të jetë më i disponueshëm dhe i ndershëm në këtë çështje.
Në librin tim të ri Rudina, kam një pjesë ku përmend se në sportet e kolegjeve ka një gjuhë sekrete se si t’i japësh ryshfet dikujt tjetër. Unë e kam shkruar shqip kete fjale ne liber, ngaqe gjithmonë më ka pëlqyer sesi thuhej në shqip korrupsioni. Korrupsion është një tjetër fjalë që unë di në shqip.
Rudina Xhunga: A nuk është paradoksale që njeriu që kërkon të rrëzojë Ramën për korrupsion, është njeriu që ishte kryeministër kur në këtë vend u vranë 26 persona në një mënyrë ende të pasqaruar?
Guy Lawson: Ajo që është e habitshme për mua sa i takon Gërdecit është se politikanët me një reputacion politik të njollosur pas kësaj tragjedie, u sollën sikur ishin ata viktimat dhe jo fëmijët, jo familjet, jo vendi. Kjo për mua është me të vërtetë e tmerrshme, sepse ata nuk ishin viktimat, por djali 7-vjeçar dhe e ëma ishin viktimat e asaj tragjedie. Sistemi i drejtësisë ishte viktima e kësaj. Populli shqiptar, që nuk ka zyrtarë të cilët vendosin interesin e popullit në vend të parë, ata janë viktimat e vërteta të kësaj. Jo dikush që pretendon se reputacioni i tij është njollosur në mënyrë të padrejtë. Unë shpresoj që Shqipëria të ketë mundësi të nxjerrë në dritë gjithçka që ndodhi atje. Unë e di është mundësia për të bërë diçka të mirë për atë shoqëri nëse kjo ndodh. Prandaj, kjo është shpresa ime më e madhe.
Rudina Xhunga: Mos të harrojmë se akuza zyrtare për këtë çështje është “shpërdorim detyre”, që në fund do të kemi një dënim për vetëm një person dhe me gjasa nuk duket se do të ketë dënim për dikë mbi Fatmir Mediun, aq më tepër për ish-kryeministrin Berisha apo djalin e tij për të cilët nuk di a ka prova.
Guy Lawson: Mendoj se sistemi i drejtësisë, i cili ecën pjesërisht drejt së vërtetës është një problem global, kjo po shihet edhe në Amerikë tani me hetimet për trazirat e 6 janarit, me turmën që u përpoq të zaptojë Kongresin. Pra nga kjo nuk kanë imunitet as vendet e tjera. T’i përgjigjesh pyetjeve politike është në fund të fundit çështje politike. Nuk di si ndryshe ta ndihmoj vendin, pasi unë nuk kam fuqinë investigative të SPAK-ut dhe e di që sistemi ligjor në Shqipëri është shumë i ndryshëm nga ai në Amerikë. Shpresoj të mbahet përgjegjësi deri në hallkat më të larta.
Ajo çfarë është e mrekullueshme është që shteti e mbështeti thirrjen e asaj nëne dhe shoqëria po shikon sërish faktet duke kujtuar dhe kuptuar humbjet që iu shkaktuan njerëzve të pafajshëm.
Rudina Xhunga: Veç investigimit tuaj ju patët dhe një gjyq me “Berisha Junior” si e quani ju Shkëlzen Berishën, i cili ju hodhi në gjyq për prekje të imazhit. Pas një kohe të gjatë, cili është mendimi juaj për përfshirjen e Shkëlzen Berishës dhe ish-kryeministrit në këtë ngjarje?
Guy Lawson: Unë i qëndroj besnik asaj që kam shkruar në libër. Në libër, persona relevantë që kanë qenë të perfshire ne historine e armeve te Gerdecit, kanë thënë se janë takuar me Berisha Junior, gjë që ai e mohon të ketë ndodhur. Duket se ka një sasi të konsiderueshme provash se kishte njerëz që po përfitonin personalisht nga shitja e asaj sasie të municioneve; kishte para të dërguara në llogaritë bankare në Qipro që thjesht u zhdukën, ishte një tregtar armësh zviceran që u zhduk pa lënë gjurmë. Pra kishte shumë gjëra që ndodhën në atë kohë apo atë botë, që nuk zbulohen kurrë. Ndiej se libri im shkoi aq larg sa dikush nuk ka shkuar ndonjëherë, sa i takon botës së tregtisë së armëve. Nuk e di se sa është penguar drejtësia, nga fakti që pas gjithë këtyre viteve, ende familja Berisha po mohon këto gjëra, edhe pse nuk e di sa besohen ata në Shqipëri.
Unë i qëndroj besnik librit tim dhe besoj se sistemi gjyqësor amerikan e përkrahu shumë te verteten e librit tim, gjithashtu. Po të lexosh vendimet e gjykatave në Shtetet e Bashkuara, ne gjyqin tim me Berisha Junior, ato nuk u shqetësuan nga ideja nëse z. Berisha Junior ishte nëpërkëmbur duke u akuzuar per korrupsion. Nuk kishte vlerë, asnjë simpati për të në këtë këndvështrim.
Në Amerikë nuk ndodhi asgje, përveç hetimit të plotë dhe të drejtë. Këtë do të më pëlqente ta shihja të ndodhte edhe te ju. Por, edhe unë jetoj në botën reale, siç thoni ju, dhe ne duhet vetëm të presim. Përsëri, përgëzoj nënën dhe pikëllohem për fëmijët që humbën jetën.
Rudina Xhunga: A keni ju dokumente ose dëshirë që t’i bashkoheni si dëshmitar drejtësisë shqiptare?
Guy Lawson: Epo ja, tani jam duke folur me ju. Por nuk do e kisha aspak problem të flisja edhe për SPAK-un, nëse kjo është ajo çfarë kanë nevojë. Unë mendoj se njerëzit më të përshtatshëm për të deshmuar, janë, për shembull Luan Hoxha, që përmenda më parë i cili është në mërgim në Amerikë. Mendoj se do të ishte shumë e dobishme që ambasadori amerikan, që shërbeu në vitin 2008 së bashku me atasheun ushtarak, të vinin të përgjigjeshin. Mendoj se ata mund të flasin sinqerisht për atë që ndodhi në ato ditë dhe javë. Gjithashtu, mendoj se do të ishte shumë interesante të kishit zotin Efraim Diveroli, i cili ishte një nga çunat, një nga tregtarët e armëve, që ishte në Tiranë dhe që u regjistrua në telefonatë nga një zotëri i quajtur Kosta Trebicka, i cili më pas vdiq në rrethana shumë misterioze. Nuk do të hyj në të gjitha detajet e librit, por duhet të pyesni veten, si arriti një djalë 19-vjeçar nga Miami, të shpikë një histori për djalin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, të shpikë një takim me te, nëse nuk e ka takuar kurrë? Si mund të shpikë Efraim Diveroli diçka pa ndodhur në të vërtetë? Këtë nuk di ta them. Por do të isha i lumtur të ndihmoja dhe mendoj se ata do të bënin mirë të lexonin librin tim dhe nëse duan pyetje të mëtejshme, do të isha i lumtur të ndihmoja aq sa mundem. Por përsëri mendoj se ka njerëz të tjerë që duhet të flasin. E di që ka pasur dëshmitarë në Gërdec që kanë parë njerëz që vinin e shkonin. Nëse duan të më pyesin se cilët janë ata njerëz, unë mund të përdor emrat e tyre. Çfare shpresoj nga SPAK-u është që të jetë duke bërë gjithçka që mundet dhe të arrijë tek e vërteta sa më shpejt.
Rudina Xhunga: Doja të pyesja diçka në lidhje me librin tuaj të ri. Kur do të jetë në dorë të lexuesit amerikan?
Guy Lawson: Unë sapo e kam përfunduar së shkruari dhe George Clooney bleu të drejtat e filmit, kjo është e mrekullueshme.
Rudina Xhunga: Oo, paskemi lajme të mira!
Guy Lawson: Dhe libri quhet “Hot-Dog money”. Dhe ka të bëj me paratë, të cilët njerëzit i përdorin në ndeshje për trajnerët dhe lojtarët, edhe aty ku nuk duhet të ketë të bëjë fare leku. Ishte një libër interesant. E ndërsa, tani kam nisur librin tim të radhës që lidhet me korrupsionin brenda në Pentagon.
Rudina Xhunga: Ka lidhje me një histori të veçantë kjo në Pentagon?
Guy Lawson: Personi me të cilin po flas është në burg dhe nuk ka folur për persona të tjerë më parë. Por, nuk mund ta them se kush është pasi mund të përpiqet dikush të ma marrë dhe është ende pak sekret derisa ta mbaroj, por di të them se është një histori vërtetë dramatike dhe interesante, e cila shkon në nivelet më të larta të Pentagonit.
Rudina Xhunga: Tani jeta juaj është me libra, jo më në gazeta si New York Times apo Rolling Stones?
Guy Lawson: Biznesi i revistave në SHBA nuk po shkon mirë. Shumë media të shkruara po zvogëlohen dhe nuk bëjnë më raportime, për të cilat duheshin muaj ose vite. Unë po ndihem më mirë me librin tani që jam duke punuar vetëm, pasi jam më i pavarur. Ende shkruaj për The New York Times dhe ndonjëherë për Rolling Stones, për GQ Magazine. Por kjo po vjen duke u tkurrur. Dhe unë do shkoj atje ku më tërheqin historitë. Por libri më jep kënaqësi dhe ata të japin mundësinë që të thellohem në historitë e mia.
Rudina Xhunga: Faleminderit shumë për këtë intervistë!
Guy Lawson: Dua ta di si i thonë në shqip “my pleasure”!
Rudina Xhunga: Kënaqësia ime!
Guy Lawson: Unë ju ndjek dhe në Instagram dhe postimet tuaja janë shumë të këndshme. Kështu e shoh unë Shqipërinë, përmes Instagramit tuaj./dritare.net