
Kaos në derbin Partizani-Tirana! Përplasjet mes tifozëve lënë të plagosur disa efektivë policie!
Dritare.net

Nga përplasja e tifozëve në derbin Partizani-Tirana, lëndohen disa efektivë policie. Punonjësit e policisë janë dërguar në spitalin e Traumës, ndërsa mësohet se njëri prej tyre është dëmtuar rëndë.
Kujtojmë se në momentin e futjes së tifozëve bardheblu, një situatë aspak normale u krijua në tribunat ku qëndronin grupet ultras të dy tifozerive, teksa u desh ndërhyrja e forcave “Shqiponja”, për të shmangur një përleshje masive.
Në këtë moment u krijua një hapësirë e madhe mes dy tifozerive nga forcat e policisë, për të shmangur gjuajtjet me flakadanë dhe sende të forta. Situata e tensionuar zgjati për afro 5 minuta, teksa më pas gjithçka u mor nën kontroll nga policia. Policia ka shoqëruar në komisariat dy tifozë të Partizanit, pas sherrit në derbin kryeqytetas.
Njoftimi:
Gjatë hyrjes në stadiumin “Arena e Demave”, Tufinë, të tifozëve dhe sportdashësve për të ndjekur ndeshjen e futbollit Partizani-Tirana, është goditur me sende të forta një punonjës policie, i cili ndodhet në spital, për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dy shtetas (tifozë të skuadrës së futbollit Partizani), për akte të dhunshme para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Në vijim do të keni informacion me të dhëna më të plota në lidhje me rastin./E.P-dritare.net

















