
Mbyllet etapa e parë e Giro d’Italia në Shqipëri, ja kush fitoi!
Dritare.net
Etapa e parë e Giro d’Italia 2025, e cila për herë të parë në histori nisi nga Shqipëria, u zhvillua sot më 9 maj në një itinerar prej 160 kilometrash nga Durrësi në Tiranë. Fitues i kësaj etape u shpall çiklisti danez Mads Pedersen i ekipit Lidl-Trek, i cili triumfoi në një sprint të ngushtë ndaj belgut Wout van Aert, duke siguruar kështu fanellën rozë të liderit të garës.
Etapa ishte dinamike dhe sfiduese, me disa ngjitje të rëndësishme, përfshirë dy herë ngjitjen në Surrel, që ndikuan në selektimin e grupit të përparuar. Pavarësisht përpjekjeve të shumta për shkëputje, gara u vendos në metrat e fundit nga një sprint i fuqishëm.
Fatkeqësisht, etapa u shënua edhe nga një aksident i rëndë që ndodhi rreth 5 kilometra para finishit. Çiklisti spanjoll Mikel Landa, një nga pretendentët kryesorë për podium, pësoi një rrëzim të rëndë gjatë zbritjes nga Surreli, duke u detyruar të tërhiqet nga gara dhe të transportohet me ambulancë në spital për trajtim mjekësor.
Etapa e dytë e Giro d’Italia do të zhvillohet nesër më 10 maj në Tiranë, në formën e një kronometri individual prej 13.7 kilometrash. Ndërkohë, etapa e tretë dhe e fundit në Shqipëri do të mbahet të dielën më 11 maj, me itinerar Vlorë-Qeparo-Vlorë, përpara se gara të vazhdojë në territorin italian./K.C/dritare.net

















