Na ndiqni edhe në

Bota

25-vjeçarja zgjodhi eutanazinë për t'i dhënë fund jetës. Historia që tronditi Spanjën dhe ndau opinionin publik në dysh!

25-vjeçarja zgjodhi eutanazinë për t'i dhënë
Historia e Noelia Castillo Ramos, një e re spanjolle 25-vjeçare, është një nga më tragjiket që ka tronditur Spanjën dhe opinionin publik evropian. Pas një jete të mbushur me trauma fizike dhe emocionale, ajo ndërroi jetë të enjten, pasi iu realizua kërkesa për eutanazi pas një beteje ligjore që zgjati pothuajse dy vite.

Noelia Castillo lindi në Barcelonë në vitin 2000 dhe që në moshë të re përjetoi vështirësi të shumta familjare dhe probleme të shëndetit mendor. Gjatë jetës së saj, ajo raportoi disa episode të abuzimeve seksuale dhe traumave të rënda psikologjike, që e çuan drejt një përkeqësimi të gjendjes emocionale.

Në vitin 2022, pas një periudhe të gjatë vuajtjesh, Noelia tentoi vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i pestë i një ndërtese. Ajo mbijetoi, por mbeti e paralizuar, duke jetuar më pas me dhimbje kronike fizike dhe varësi të plotë nga të tjerët.

Përballë kësaj situate, në vitin 2024 ajo kërkoi zyrtarisht eutanazinë, duke u mbështetur në ligjin spanjoll të vitit 2021 që lejon ndihmën për të vdekur në raste të vuajtjeve të rënda dhe të pakthyeshme. Megjithatë, kërkesa e saj u bllokua për një kohë të gjatë nga babai, i cili kundërshtoi vendimin në gjykata, duke pretenduar se vajza e tij nuk ishte në gjendje të merrte një vendim të tillë.

Pas një beteje të gjatë ligjore që zgjati rreth 601 ditë dhe përfshiu edhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, autoritetet spanjolle miratuan përfundimisht kërkesën e saj.

Noelia Castillo ndërroi jetë më 26 mars 2026 në një qendër shëndetësore në Sant Pere de Ribes, pranë Barcelonës. Para vdekjes, ajo deklaroi se nuk donte të ishte shembull për askënd, por thjesht të vendoste për jetën e saj dhe t’i jepte fund vuajtjeve.

Rasti i saj ka ndezur debat të fortë në Spanjë dhe në Evropë mbi të drejtën për eutanazi, shëndetin mendor dhe mbrojtjen e personave në situata të rënda./K.C/dritare.net