Ministri Demo: Do marrim masa në rast abuzimi me çmimet e produkteve bazë
Dritare.net

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me zhvillimet e fundit mbi çmimet e karburanteve dhe rikthimin e Bordit të Transparencës.
Demo bëri të ditur se Bordi pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme për të analizuar të dhënat më të fundit mbi lëvizjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në vend. Sipas tij, vendimmarrja do të shpallet brenda ditës.
“Bordi sot do të mblidhet, është duke marrë gjithë informacionin sa i përket lëvizjes së çmimeve dhe mbi të gjitha ndryshimeve që ka çmimi i bursës. Bordi do të dalë me një vendimmarrje sot”, u shpreh ai.
Sa i përket ndikimit që rritja e çmimit të naftës ka në inflacion dhe në produktet e tjera, ministri theksoi se efektet kërkojnë kohë për t’u reflektuar plotësisht në ekonomi. Megjithatë, ai nënvizoi se prioritet mbetet garantimi i transparencës në treg dhe parandalimi i abuzimeve me çmimet.
“Nuk mund të flas në detaje, por rritja e çmimit të naftës dhe inflacioni që ajo sjell në produkte kërkon kohë. Synimi ynë është të garantojmë transparencën dhe të shmangim çdo spekulim në treg”, deklaroi Demo./L.F-dritare.net