Çfarë do të përfitojë Shqipëria nga “MatchMaker Albania 2”?
Dritare.net

Nga Fatos Çoçoli
Nesër më 26 mars 2026, zhvillohet në Pallatin e Kongreseve aktiviteti “MatchMaker Albania 2”, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Më shumë se një panair klasik, ai sot përfaqëson një platformë të rëndësishme për lidhjen direkte të biznesit shqiptar me investitorë dhe partnerë të huaj.
Në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri dhe riorganizim të zinxhirëve të furnizimit, aktivitete të tilla marrin një vlerë strategjike për Shqipërinë dhe ekonominë tonë. Po çfarë është nisma “MatchMaker Albania” e AIDA-s? Ajo përfaqëson një forum ndërkombëtar biznesi, i cili realizon takimet B2B (business-to-business) fizike ose online, nxitjen e investimeve të huaja direkte dhe promovimin e sektorëve prioritarë të ekonomisë shqiptare.
“MatchMaker Albania” bashkon kompani shqiptare, investitorë të huaj, institucione financiare dhe përfaqësues të qeverisë dhe agjencive zhvillimore. Shqipëria ka nevojë për kapital të ri, teknologji dhe know-how. “MatchMaker Albania” krijon akses direkt te investitorët, siguron prezantim të projekteve konkrete dhe ulje të kostove të kërkimit të partnerëve.
Në një kohë pasigurish të mëdha në tregjet ndërkombëtare, ku qasjet “nearshoring”(investim përmes afërsisë fizike) dhe “friendshoring”(investim përmes lidhjeve miqësore) bëhen parësore, me këtë nismë, Shqipëria mund të pozicionohet si destinacion alternativ për prodhim dhe shërbime. Aktiviteti ndihmon bizneset vendase të bëhen pjesë e rrjeteve ndërkombëtare. Për shembull, edicioni i vitit të kaluar “MatchMaker Albania 1” arriti të mbledhë mbi 40 shtete, më shumë se 500 investitorë dhe mbi 1000 pjesëmarrës të lidhur me ekonominë dhe tregtinë.
“MatchMaker Albania 2” promovon sektorë si agropërpunimi, turizmi, energjia e rinovueshme dhe teknologjia dhe shërbimet. Kjo qasje ul varësinë nga sektorë tradicionalë dhe rrit reziliencën ekonomike. Dobia konkrete për biznesin shqiptarështë në disa drejtime.
Së pari, nisma jep mundësi reale partneriteti, përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit, kompanive të përbashkëta (Joint ventures) dhe eksporteve të reja. Të dhënat paraprake tregojnë se interesi për MatchMaker Albania 2 është i lartë. Pak ditë para eventit, janë koordinuar mbi 300 takime biznesi, me rreth 900 pjesëmarrës të regjistruar nga 25 shtete. Kjo tregon një rritje të cilësisë së organizimit dhe një fokus më të madh tekrezultatet konkrete, krahasuar me edicionin e parë.
Së dyti, aktiviteti siguron transferim njohurish dhe teknologjie, duke sjellë praktika moderne menaxhimi, standarde ndërkombëtare dhe mundësi për rritje të produktivitetit.“MatchMaker Albania 2” është strukturuar mbi katër sektorë strategjikë që reflektojnë drejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit. “Future Estate” fokusohet në pasuritë e paluajtshme dhe turizmin, duke adresuar nevojën për projekte të qëndrueshme dhe infrastrukturë moderne. “Smart Agriculture” synon modernizimin e bujqësisë përmes teknologjisë dhe rritjes së produktivitetit. “Digital Horizons” vendos theksin te transformimi digjital dhe mbështetja e startup-eve, ndërsa “Power Next” lidhet me investimet në energjinë e pastër dhe tranzicionin energjetik.
Së treti, nisma e AIDA-s ndihmon në shtimin e aksesit në financim për bizneset e vendit. Gjatë aktivitetit do të relizohen kontakte me banka dhe fonde investimi, si dhe do të diskutohen mundësi për projekte të financuara ndërkombëtarisht. Pjesëmarrja në këtë platformë përfaqëson një mundësi të rëndësishme si për bizneset vendase, ashtu edhe për investitorët e huaj. Për kompanitë shqiptare, eventi është një hap drejt ndërkombëtarizimit, rritjes së kapaciteteve dhe zgjerimit të eksporteve. Për investitorët ndërkombëtarë, është një mundësi për të hyrë në një treg në zhvillim, për të takuar partnerë lokalë dhe për të krijuar bashkëpunime të reja në sektorë me potencial të lartë.
Së katërti, përfitimet për investitorët e huaj janë konkrete, pasi me “MatchMaker Albania 2”, ata realizojnë njohje direkte me tregun shqiptar, identifikim të partnerëve lokalë të besueshëmdhe informacion mbi lehtësitë fiskale dhe ligjore. Kjo redukton pasigurinë dhe rrit interesin për investim.
Aktiviteti prodhon marrëveshje konkrete, të cilat rrisinn investimet dhe hapin vende të reja pune. Efekti shumëfishues në ekonomi është i konsiderueshëm. AIDA siguron ndjekje konkrete të marrëveshjeve pas forumit. Me vlerë do të ishte edhe krijimi i një platforme dixhitale për kontakte afatgjata, si dhe përfshirja më e madhe e Diasporës shqiptare.
Për të gjitha këto arsye, “MatchMaker Albania 2” është më shumë se një event. Ai përfaqëson një instrument politikash ekonomike për tërheqjen e investimeve, ndërkombëtarizimin e biznesit shqiptar dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisësonë./dritare.net