
Britania e Madhe projektligj për ndalimin e cigareve elektronike nën 18 vjeç
Dritare.net
Një goditje e madhe ndaj duhanpirësve dhe cigareve elektronike do të ndërmerret nga qeveria e re britanike, së bashku me ndalimin e shitjes së pijeve energjike. Plani i Rishi Sunak për t'i ndaluar të rinjtë që të pinin duhan ligjërisht u rikthye në fjalimin e sotëm të Mbretit Charles. Projektligji për duhanin dhe cigaret elektronike u la mënjanë kur Parlamenti u mbyll për zgjedhjet e përgjithshme, por Sir Keir Starmer vendosi ta rikthente.
Projektligji synon të ndalojë këdo që ka lindur pas 1 janarit 2009 nga blerja e cigareve, duke krijuar një brez pa duhan. Ai synon gjithashtu marketingun e vape-ve, duke i hapur rrugën reformave për ndalimin e shitjeve të cigareve elektronike dhe reklamimin e tyre, duke reduktuar paketimet që tërheqin të rinjtë, për të ndihmuar në ndalimin e fiksimit të fëmijëve.
Projektligji do të kufizojë paketimin dhe ekspozimin e produkteve të tjera si qeskat e duhanit, që mund t'i joshin fëmijët të pinë duhan.
Mbreti Charles tha: "Do të paraqitet një projektligj për të rritur në mënyrë progresive moshën në të cilën njerëzit mund të blejnë cigare dhe të vendosin kufizime në shitjen dhe tregtimin e cigareve elektronike."
Projektligji gjithashtu do të forcojë zbatimin, duke lejuar që Standardet e Tregtisë të godasin më shpejt shitjet e paligjshme, duke i ndaluar dyqanet t’u shesin duhan dhe cigare elektronike fëmijëve, duke u vënë direkt gjoba.
Pirja e duhanit është shkaktari i vetëm më i madh i kancerit në nivel global dhe është i lidhur me të paktën 16 lloje të ndryshme të sëmundjes, duke përfshirë kancerin e mushkërive, fshikëzës dhe pankreasit, një nga format më vdekjeprurëse.
Edhe në Shqipëri shitja e produkteve të duhanit, cigareve, cigareve elektronike dhe shishave të nargjileve do të jetë e ndaluar për të gjithë personat nën moshën 18 vjeç. Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë miratoi nismën e deputetëve Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj, e cila synon mbrojtjen e të miturve nga krijimi i varësisë ndaj duhanit dhe cigareve elektronike. Ligji parashikon forcim të sanksioneve administrative për shkelësit e ligjit si dhe ndalimin e reklamimeve dhe sponsorizimeve edhe në kanalet mediatike.
Dritare.net ka botuar shpesh artikuj, studime të përkthyera nga mediat prestigjioze botërore, në të cilat mjekë, studiues, shkencëtarë tregojnë me fakte shkencore dhe studime se përse cigaret elektronike janë të dëmshme dhe efektet që kanë ato te njerëzit që i përdorin, që kohët e fundit janë shtuar shumë. Edhe OBSH-ja ka dalë kundër atyre që quhen vape dhe që po çmendin të rinjtë. Ndërsa në median shqiptare po bëhen shkrime për dobitë e cigareve elektronike. Një skandal që urojmë të marrë fund./K.C/dritare.net

















