
Ndalohet shitja dhe reklamimi në media i cigareve elektronike
Dritare.net
Shitja e produkteve te duhanit, cigareve, cigareve elektronike dhe shishave të nargjileve do të jetë e ndaluar për të gjithë personat nën moshën 18 vjeç. Komisioni Parlamentar i shëndetësisë ka diskutuar dhe miratuar nismën e deputetëve Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj, e cila synon mbrojtjen e të miturve nga krijimi i varësisë ndaj duhanit dhe cigareve elektronike. Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë gjithashtu të ndalojnë reklamimin e tyre direkt dhe indirekt si dhe tregtimin e tyre me ofertë.
Deputeti Erion Braçe ka theksuar se me qëllim zbatimin e kësaj nisme, përgjegjës për këtë duhet të jenë kompanitë e mëdha të distribucionit të këtyre produkteve si dhe supermarketet e mëdha. Nga ana tjetër theksoi se edhe këto produkte duhet të përfshihen në taksim.
“Duhet te ngarkojmë me përgjegjësi kompanitë e mëdha te distribucionit , ata duhet te ngarkohen me përgjegjësi se ku shitet, supermarketet e mëdha te mbajnë përgjegjësi, sot s’ka asnjë tabele neper supermarkete”.
Ligji parashikon forcim të sanksioneve administrative për shkelësit e ligjit si dhe ndalimin e reklamimeve dhe sponsorizimeve edhe në kanalet mediatike.
Dritare.net ka botuar shpesh artikuj, studime të përkthyera nga mediat prestigjioze botërore, në të cilat mjekë, studiues, shkencëtarë tregojnë me fakte shkencore dhe studime se përse cigaret elektronike janë të dëmshme dhe efektet që kanë ato te njerëzit që i përdorin, që kohët e fundit janë shtuar shumë. Edhe OBSH-ja ka dalë kundër atyre që quhen vape dhe që po çmendin të rinjtë. Ndërsa në median shqiptare po bëhen shkrime për dobitë e cigareve elektronike. Një skandal që urojmë të marrë fund./K.C/dritare.net

















