Na ndiqni edhe në

Bota

Dy vrasje nga agjentët federalë tronditin SHBA-në, Trump tërhiqet pjesërisht nga operacionet në Minnesota

Dy vrasje nga agjentët federalë tronditin SHBA-në, Trump

Presidenti amerikan Donald Trump tha se administrata e tij do të “ulë pak tensionet” në Minnesota, pas vrasjes së dytë të një qytetari amerikan nga oficerë federalë të emigracionit brenda pak javësh.

Deklarata u bë gjatë një interviste për Fox News të martën, ku Trump i cilësoi të dy incidentet si “të tmerrshme”. Në fillim të janarit, 37-vjeçarja Renee Good u vra nga një oficer emigracioni, ndërsa këtë fundjavë u qëllua për vdekje Alex Pretti, një infermier i kujdesit intensiv në një spital veteranësh.

Vdekja e Pretti-t shkaktoi protesta të reja në Minnesota dhe reagime të forta publike në mbarë vendin, duke sjellë kritika edhe nga ligjvënës të të dyja partive. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e përshkroi Pretti-n si “terrorist vendas”, duke thënë se ai ishte i armatosur dhe po përpiqej të ushtronte dhunë.

Megjithatë, dëshmitarë okularë dhe zyrtarë lokalë e kanë kundërshtuar këtë version, duke deklaruar se Pretti kishte një telefon në dorë, jo armë. Autoritetet lokale thanë se arma e tij ishte e regjistruar ligjërisht dhe se ai u qëllua pasi arma iu hoq. Një raport paraprak i Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare gjithashtu duket se bie ndesh me deklaratat fillestare të DHS-së, duke mos përmendur se Pretti po përpiqej të përdorte armën.

Pas incidentit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tërhoqi drejtuesin e misionit në Minnesota, Gregory Bovino, dhe dërgoi Tom Homan, të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për çështjet kufitare, për të marrë drejtimin e operacioneve. Homan zhvilloi takime me guvernatorin e Minnesotës, Tim Walz, kryetarin e bashkisë së Minneapolis-it dhe drejtues të policisë lokale.

Ndërkohë, disa drejtues republikanë, përfshirë senatorin Pete Ricketts dhe guvernatorin e Vermontit Phil Scott, kanë kërkuar hetim të plotë dhe transparent për vdekjen e Pretti-t. Një gjykatës federal ka urdhëruar që provat të mos shkatërrohen apo ndryshohen.

Edhe pse Trump mbrojti operacionet e emigracionit duke thënë se administrata e tij ka larguar “mijëra kriminelë të rrezikshëm”, ai pranoi se situata në Minnesota do të “de-përshkallëzohet”./L.F-dritare.net