Na ndiqni edhe në

Editorial

Pse nuk eci dhe do ngecin protestat!

Pse nuk eci dhe do ngecin protestat!

Nga Dritan Hila

Pavarësisht se ashtu si në 8 janarin e katër viteve më parë, edhe këtë 24, Berisha qëndroi dhe udhëhoqi protestuesit, madje këtë radhë edhe duke tundur flamurin, protesta u flashk dhe mbaroi si gjithë të tjerat.

As bijëzat që kanë dalë së fundmi si Mundësia apo Shqipëria Bëhet, nuk ngjallin entuziazëm. E sigurtë është që edhe sipërmarrja e sapodalë që do të bashkojë në emër të shoqërisë civilë opozitën dhe ku janë të gjithë ish filiza të PD që nuk u bënë dot lisa, nuk ka për të qullosur gjë.

Problemi i opozitës është shumëdimensional sesa një sëmundje e vetme. Ajo fillon që nga lidershipi. Ai është i vjetër në moshë dhe mosha në politikë është aset por edhe pengesë kur është shumë e madhe. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për liderin por edhe emra që zënë fill këtu e 35 vite më parë.

Idetë janë po aq të vjetra sa mbartësi i tyre. Sharjet për korrupsion, narkotrafik, dhe klishe të ngjashme, nuk zënë vend, jo vetëm se janë të stërpërdorura por edhe se nga një opozitë priten ide. Kuptohet jo të fandaksura si ato me bonuse 1-2-3 mijë euroshe për kalama. Ndaj nuk nxjerr dot askënd në valle duke i rënë fyellit në një vrimë. Strategjia e korrupsionit është përdorur në 1992, 1997, 2005, 2013, pa harruar vitet kur nuk pati ndryshim. E megjithatë ndryshimi nuk ka ardhur për shkak të parrullave të korrupsionit por të degradimit të shtetit dhe pasjes përballë tij të një opozite të profilizuar si shpresë për ndryshim dhe përmirësim.

Dhe në këtë hulli të daulles së çarë, janë edhe nënfishat e rinj të opozitës. Dëgjoni çfarë thonë dhe nuk ndryshojnë aspak nga partia nënë, PD. Madje nuk janë kreativ as në neologjizma.

Shpesh thuhet që opozitës i mungon fryma. Në fakt me frymë bëhen revolucionet por në këtë vend askush nuk do të bëjë revolucion. Sa herë që shqiptarët i kanë bërë këto, kanë rënë nga shiu në breshër. Opozita ende mendon se fryma janë britmat, fishekzjarrët, përplasjet me policinë! Po kush dreqin voton një parti që i sulet dhe gjuan me molotov policinë?! Në ditën kur shqiptarët duan një shtet funksional dhe të pakorruptuar, kush ka dy pare mend në kokë t’i shkojë mbrapa njërit që premton zhbërjen e shtetit?!

Një gropë e madhe në kampin opozitar është mungesa e kontakteve me të huajt. Askush nuk i qaset partisë kryesore të opozitës. Aq e dëshpëruar është edhe ajo vetë saqë nuk lë pa marrë çdo deklaratë të lëshuar në efir nga perëndimorët, për një cep tjetër të globit, që të deklarojë se është për Shqipërinë. Dhe në këtë rast edhe Pilinçi duket më serioz.

Mungesa e ideologjisë është një tjetër shkak që opozita jonë nuk i mbush mendjen askujt. Një udhëheqës që një herë është komunist, pastaj antikomunist; fanolist pastaj zogist, konservator pastaj pro LGBTQ; i djathtë pastaj revolucionar; një që premton luftë korrupsionit por nuk paguan sigurimet e punonjësve; një tjetër që do të luftojë hajdutët por nuk dihet se ku i gjen lekët që rri dy muaj pa dalë në punë, të gjithë këta nuk ngjallin shpresë.

Opozita shqiptare nuk ka individualitete. Hiq 5-6 kokrra, askush prej tyre nuk të thotë gjë në fusha profesionale apo politike. Zero. Individë që duan të marrin por jo të japin. Dhe që këtu duhet të fillonte ristrukturimi i opozitës. Mirëpo të gjithë këta që mbajnë flamurin e saj, mendojnë se qenia në pushtet është çështje radhe, ndaj edhe njëri ka ngulur plasmaset tek dera e kryeministrisë me shpresë që kush hyn i pari aty, bëhet i parë. Do u duhet të presin gjatë./dritare.net