
Gaza, fillojnë fazat e para të ofensivës tokësore, qindra palestinezë largohen nga qyteti
Dritare.net
Qindra banorë të lagjeve Zeitoun dhe Sabra në Gazë po largohen nga qyteti pas nisjes së fazave të para të ofensivës tokësore izraelite. Ushtria e Izraelit ka vendosur tashmë një prani në periferi të qytetit, i cili është shtëpi për më shumë se një milion palestinezë, pas ditësh me bombardime dhe sulme artilerie.
Zëdhënësi i IDF, gjeneral brigade Effie Defrin, tha se operacioni synon “të thellojë dëmin ndaj Hamasit” duke goditur infrastrukturën mbi dhe nën tokë, ndërsa civilët do të paralajmërohen për evakuim. Aktualisht, dy brigada po operojnë në Zeitoun dhe një tjetër në Jabalia, ku është zbuluar edhe një tunel me armë.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka miratuar planin për ofensivën, ndërsa 60 mijë rezervistë do të thirren në fillim të shtatorit për të liruar trupat aktive. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se po “shkurton afatet” për të marrë kontrollin e asaj që e quajti “fortesat e fundit terroriste” në Gazë.
Nga ana tjetër, Hamas e akuzoi Netanyahun për vazhdimin e një “lufte brutale ndaj civilëve” dhe për shpërfillje të propozimit të ri të ndërmjetësuesve egjiptianë dhe katarias për një armëpushim 60-ditor me lirimin e gjysmës së pengjeve. Izraeli ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare, ndërsa këmbëngul se do të pranojë vetëm një marrëveshje të plotë që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) kanë bërë thirrje urgjente për armëpushim dhe hyrjen e menjëhershme të ndihmave humanitare, duke paralajmëruar se përshkallëzimi rrezikon të përkeqësojë një situatë tashmë katastrofike për 2.1 milionë banorët e Gazës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territor, të paktën 62,122 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite më 7 tetor 2023, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit ku u vranë 1,200 persona dhe u rrëmbyen 251 pengje./L.F-dritare.net

















