Na ndiqni edhe në

Bota

Izraeli pushton Kështjellën Beaufort. Zgjeron ofensivën tokësore në Libanin jugor

Izraeli pushton Kështjellën Beaufort. Zgjeron ofensivën

Izraeli ka njoftuar se forcat e tij ushtarake kanë marrë kontrollin e Kalasë historike Beaufort në jug të Libanit, një pikë strategjike mbi luginën e Lumit Litani, ndërsa vazhdon zgjerimin e operacioneve tokësore kundër Hezbollahut.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), zona e operacioneve është zgjeruar dhe urdhër-evakuimet për civilët në jug të Libanit janë rishpërndarë, duke përfshirë të gjithë zonën në jug të lumit Zahrani. Ushtria izraelite paralajmëroi se çdo prani pranë elementëve të Hezbollahut ose pajisjeve ushtarake rrezikon jetën e civilëve.

Kalaja Beaufort, një fortesë me origjinë kryqëzate mbi 900-vjeçare, konsiderohet një pikë me rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi marrjen e saj si “një fazë dramatike dhe ndryshim të madh në politikën ushtarake”.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Israel Katz deklaroi se kontrolli mbi këtë zonë ndihmon në mbrojtjen e komuniteteve izraelite pranë kufirit.

Situata në terren mbetet e tensionuar, me sulme të vazhdueshme midis Izraelit dhe Hezbollahut. Autoritetet libaneze raportojnë viktima dhe dëme të konsiderueshme, ndërsa Franca ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar zhvillimet.

Qeveria libaneze e ka cilësuar situatën si “shkatërruese”, ndërsa negociatat ndërkombëtare pritet të vazhdojnë në ditët në vijim në Washington.

Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut po përshkallëzohet, me të dyja palët që raportojnë sulme dhe humbje në rritje./K.C/dritare.net