Përplasja në Zvërnec, pezullohet drejtori i Policisë së Vlorës: Qytetari i ndaluar nga rojet private, nuk u fut në kantier me forcë
Dritare.net

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, është pezulluar nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pas një raportimi të pasaktë lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së zhvilluar sot në zonën e Zvërnecit.
Në një reagim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkoi ndjesë publike për informacionin e dhënë nga Policia e Vlorës, sipas të cilit një protestues ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit. Sipas Policisë së Shtetit, verifikimet treguan se ky fakt nuk qëndron.
“Qytetari në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
"Policia e Shtetit sqaroi gjithashtu se territori ku po zhvillohet projekti në Zvërnec rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizimet ligjore përkatëse për rrethimin. Institucioni u bëri thirrje qytetarëve që çdo pretendim mbi pronësinë apo zhvillimin e saj ta adresojnë në gjykatë.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor".
Më herët, Policia e Vlorës kishte njoftuar se gjatë protestës një grup protestuesish kishte tentuar të prishte rrethimin e kantierit dhe se një prej tyre, shtetasi me inicialet E.S., ishte futur me forcë brenda perimetrit të kantierit, ku më pas ishte shoqëruar nga punonjës të një shoqërie private sigurie. Sipas këtij njoftimi, protestuesi kishte pësuar dëmtime trupore gjatë shoqërimit dhe pas kallëzimit të tij u proceduan penalisht dy punonjës të sigurisë private, 41 dhe 35 vjeç, banues në Tiranë.
Po ashtu, Policia e Vlorës bëri me dije se janë proceduar penalisht edhe 15 pjesëmarrës në protestë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.