Na ndiqni edhe në

Bota

Kush e pranoi planin e Trump për paqen në Gaza! Ja kushtet e Netanyahut!

Kush e pranoi planin e Trump për paqen në Gaza! Ja kushtet e

Udhëheqës evropianë dhe të Lindjes së Mesme kanë pranuar një plan të ri paqeje të Shteteve të Bashkuara për Gazën, ndërsa presidenti Donald Trump paralajmëroi Hamasin që edhe ata ta pranojë.

Plani, i dakordësuar nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, parashikon një ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake. Brenda 72 orësh, Hamasi duhet të lirojë 20 pengje izraelite të gjallë dhe trupat e më shumë se dy dhjetëra pengjeve që besohet se janë vrarë, në këmbim të lirimit të qindra të ndaluarve nga Gaza.

Një burim palestinez i njohur me negociatat i tha BBC-së se Hamasit i është dorëzuar një plan 20-pikësh nga Shtëpia e Bardhë. Dokumenti kërkon që Hamasi të mos ketë rol në qeverisjen e Gazës dhe lë të hapur mundësinë për një shtet përfundimtar palestinez.

Gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, Trump e quajti planin “një ditë historike për paqen”, por paralajmëroi se SHBA do ta mbështesë Netanyahun “të përfundojë punën për shkatërrimin e kërcënimit të Hamasit” nëse ky i fundit nuk e pranon. Netanyahu shtoi se Izraeli “do ta përfundojë punën” nëse Hamasi e refuzon ose nuk e zbaton planin.

Autoriteti Palestinez, që administron Bregun Perëndimor, e cilësoi nismën amerikane si “të sinqertë dhe të vendosur” dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me SHBA-në dhe partnerët rajonalë për t’i dhënë fund luftës, për të garantuar ndihmë humanitare dhe për lirimin e pengjeve e të burgosurve.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit përshëndetën përpjekjet e Trumpit, duke theksuar se marrëveshja duhet të çojë drejt një “zgjidhjeje me dy shtete”, ku Gaza të integrohet me Bregun Perëndimor në një shtet palestinez.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte “i inkurajuar” nga përgjigjja e Netanyahu-t dhe kërkoi që “të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë moment për paqe”. Plani parashikon ngrirjen e vijave të frontit derisa të krijohen kushtet për një tërheqje të organizuar, dorëzimin e armëve nga Hamasi dhe shkatërrimin e tuneleve e fabrikave të armëve. Për çdo peng izraelit, Izraeli do të lirojë trupat e 15 palestinezëve nga Gaza. Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, ndihma e plotë humanitare do të dërgohet menjëherë në territor.

Plani përcakton një administratë të përkohshme për Gazën nga një “komitet palestinez teknokratik dhe apolitik”, nën mbikëqyrjen e një organi ndërkombëtar kalimtar të quajtur Bordi i Paqes, i drejtuar nga Trump. Ish-kryeministri britanik Tony Blair do të jetë pjesë e këtij organi. Ai e quajti planin “të guximshëm dhe inteligjent”. Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, e mirëpriti nismën, duke bërë thirrje për bashkëpunim me administratën amerikane.

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se Franca është e gatshme të kontribuojë për t’i dhënë fund luftës dhe për të liruar pengjet, ndërsa theksoi se këto hapa duhet të çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e quajti propozimin “një pikë kthese” dhe kërkoi nga të gjitha palët ta pranojnë.

Sipas planit, Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje “në asnjë formë”, ndërsa fokusi kryesor do të jetë një “plan zhvillimi ekonomik” për rindërtimin e Gazës. Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë territorin, dhe do të tërhiqet gradualisht me kalimin e kohës. Dokumenti thekson se palestinezët nuk do të detyrohen të largohen nga Gaza, por do të inkurajohen të qëndrojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Ndërkohë, zyrtarë të Katarit dhe Egjiptit ia kanë dorëzuar planin Hamasit në Doha. Një përfaqësues i lartë i Hamasit i tha BBC-së se grupi është i hapur për të shqyrtuar çdo propozim që i jep fund luftës, por se çdo marrëveshje duhet të garantojë një tërheqje të plotë izraelite dhe të mbrojë interesat palestineze. “Armët e rezistencës janë një vijë e kuqe për sa kohë që vazhdon pushtimi”, tha ai, duke shtuar se kjo çështje mund të diskutohet vetëm në kuadër të një zgjidhjeje politike që siguron një shtet të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967.

Njoftimi për planin vjen pak ditë pasi Netanyahu sulmoi vendet që kanë njohur shtetin palestinez, duke i cilësuar si një “shenjë turpi”. Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhjetëra diplomatë u larguan nga salla në shenjë proteste.

Ndërsa Trump e ka mbështetur fuqimisht Netanyahun në mandatin e tij të dytë, ai është shfaqur i pakënaqur me disa veprime të fundit të Izraelit, përfshirë një sulm që vrau pa dashje një ushtar të Katarit – aleat kyç i SHBA-së.

Fushata izraelite në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, janë vrarë mbi 66,000 persona nga bombardimet izraelite. Një organ i OKB-së ka konfirmuar se në qytetin e Gazës po ndodh uri masive, ndërsa një komision hetimor i OKB-së e ka akuzuar Izraelin për gjenocid – akuzë që Tel Avivi e ka mohuar me forcë.